‘Vërshon’ Importi, ‘Përmbys’ Eksportin

Agjencia e Statistikave ASK thotë se në muajin shkurt eksportet mbuluan importin vetëm në masën 12  për qind.

Në muajin shkurt të këtij viti, tregtia e jashtme tregoi një deficit më të lartë për 2.7 për qind në krahasim me muajin e njëjtë të vitin të  kaluar-shprehur në shifra, 174.1 milionë euro në krahasim me 169.6 milionët e 2016-ës.

ASK-ja thotë se eksporti I vendit ishte 23.6 milionë euro përderisa importi arriti në lartësinë 197.8 milionë euro.

“Eksporti i mallrave në muajin shkurt 2017 kishte vlerën 23,6 milionë €, ndërsa importi 197,8 milionë €, është një rënie prej (-1.6%) për eksport si dhe një rritje prej (2.2%) për import duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2016.“, tha ASK-ja.

Kosova eksportoi më shumë metale bazë dhe artikuj nga to.

“Sipas të dhënave të grupeve kryesore të eksportit: (37.1%) të eksporteve i përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre, (12.7%) produktet minerale, (10.7%) plastika, goma dhe artikuj prej tyre, (9.5%) ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani, (5.3%) produktet bimore, (4.3%) lëkura dhe artikuj prej tyre, (4.4%) artikuj të ndryshëm të prodhuar etj“, thuhet në publikim.

Sipas ASK-së, Kosova importoi produkte minerare dhe ushqime.

“Ndërsa sipas të dhënave të grupeve kryesore për import: (16.9%) të importit e përbëjnë produktet minerale, (13.0%) ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani, (10.7%) makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike, (9.2%) mjetet e transportit, (8.3%) metalet bazë dhe artikujt prej tyre, (7.9%) produktet e industrisë kimike, (6.3%) produktet bimore, (5.9%) plastika, goma dhe artikujt prej tyre etj”, njoftoi publikimi.

Mallrat “Made in Kosovo” drejt BE-së

Eksporti i mallrave të Kosovës shënoi rënie rreth 12 për qind drejt vendeve të Bashkimit Europian (BE). Partneri “bajraktar” mbetet Gjermania.

“Eksportet e Kosovës në vendet e BE-së-28 arritën në 6,1 milionë €, ose rreth (25.7%) e eksporteve të përgjithshme, me një rënie prej (-11.8%). Partnerët kryesorë për eksportin e mallrave në BE janë: Gjermania (5.9%), Holanda (4.1%), Britania e Madhe (3.8%), Austria (2.5%), Bulgaria (2.5%)“, vazhdon më tej publikimi.

Importet në anën tjetër shënuan një rritje të lehtë, ndërsa Gjermania eksportoi më shumë në Kosovë.

“Importet e Kosovës nga vendet e BE-së-28 ishin rreth 84,2 milionë €, ose (42.6%) e importeve të përgjithshme, me një rritje prej (1.0%). Importet me pjesëmarrje me të lartë ishin nga: Gjermania (13.4%), Italia (5.2%), Greqia (3.5%), Polonia (2.7%) etj”, bën të ditur publikimi.

Kosova dhe Vendet e CEFTA-s

Për dallim nga eksportet e Kosovës me vendet e Bashkimit Europian që ishin me rënie, eksporti drejt vendeve të CEFTA-s u rrit mbi 24 për qind me partner kryesor Shqipërinë.

“Në muajin shkurt 2017, eksportet e Kosovës me vendet CEFTA-s arritën në 10,1 milionë €, ose (42.9%) të eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej (24.6%). Partner kryesor për eksport nga vendet e CEFTA-s janë: Shqipëria (16.3%), Maqedonia (12.6%), Serbia (7.8%), dhe Mali i Zi (4.0%)“, thotë publikimi.

Por importi nuk lëshoi pe karshi eksportit që shënoi rritje. Importi u rrit mbi 30 për qind dhe me partner Serbinë.

“Ndërsa, importet nga vendet e CEFTA-s në muajin shkurt 2017, arritën në 60,5 milionë €, ose (30.6%) të importeve të përgjithshme, me një rritje prej (19.4%). Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin: Serbia (18.1%), Shqipëria (5.2%),Maqedonia (4.6%) dhe B&H (2.5%).

Matanë botës

Eksportet drejt vendeve tjera u rritën mbi 31 për qind, po ashtu me rritje ishte edhe importi.

“Eksportet e Kosovës me vendet tjera arritën në 7,4 milionë €, ose (31.3%). Si partnerë më të rëndësishëm nga këto vendet për eksport vlen të përmenden: India (11.9%) dhe Zvicra(7.8%). Ndërsa importet e Kosovës me vendet tjera arritën në 52,9 milionë €, ose (26.8%). Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import në këtë grup ishin: Kina (8.4%) dhe Turqia (8.4%)”.

Në fillim të marsit KALLXO.com shkroi që Kosova shënoi rekord të importit të mallrave në janar 2017.

http://kallxo.com/kosova-rekord-te-importit-ne-janar/