KQZ - Foto: KALLXO.com
Vendimi për Rinumërim të Votave Ngjall Debat në KQZ
Adnan Rrustemi, anëtar i KQZ-së, ka kërkuar që të mos vazhdohet me rendin e ditës, duke thënë se nuk mund të merret vendim për rinumërimin e votave në Prishtinë e Prizren pa vendimin e Gjykatës Supreme dhe pa kaluar afati 24 orë për ankesa.
Rrustemi, vendimin për rinumërim e cilësoi skandaloz dhe politik.
“Është absurd nga përmbajtja vendimi”, tha Rrustemi duke shtuar se nuk ka pasur asnjë shqetësim nga asnjë komisioner, e as vërejtje.
“Po kërkon rinumërimin e diçka që nuk është numëruar ende, as votat me kusht, as me postë. Nuk mund ta fusim në rend të ditës”, tha ai.
Ai ka kërkuar nga Qendra e Numërimit dhe Rezultateve që të vazhdojë numërimin e votave me kusht, ashtu siç, sipas tij, ka qenë e planifikuar.
Ndërkaq anëtarët e tjerë kanë qenë pro vendimit.
Betim Gjoshi tha se duhet të ndërtohet standard i transparencës dhe të vazhdohet tutje.
“Nuk mundemi me punu me emocione dhe nuk mundemi me dirigju agjenda. Për mu transparenca, ofrimi i mundësive me pa realitetin, është standard i arritshëm. Edhe unë muj mos me qene i kënaqur me vendimet e PZAP-it, po ato ankesa i kanë bërë subjektet politike”, u shpreh Gjoshi.
Ilir Gashi, tha se duhet të hyjnë në rend dite vendimet e PZAP-it.
“Subjektet politike kanë bërë ankesë dhe mbi ato ankesa PZAP-i ka marrë vendim. Në qoftë se Gjykata Supreme merr vendim tjetër, ne sërish do të zbatojmë vendimet e gjykatës”, u shpreh Gashi.
Edhe Sami Hamiti e Binak Vishaj, kërkuan që të zbatohet vendimi i PZAP-it për rinumërim të votave në Prishtinë e Prizren.
“Jam pro që të hyjë në rend dite dhe të votohet. A janë politike a nuk janë, po shihet që nja 4 ose 5 subjekte politike kanë bërë ankesë aty”, tha Hamiti.
“Duhet të fillojë rinumërimi për ato kuti”, tha Vishaj.
Ndërkaq, kryetarja e KQZ-së Valdete Daka, tha se vendimet e PZAP-it janë urdhëresa.
“Vendimet janë urdhëresa nga PZAP-i, nuk na obligojnë që ne të vendosim. Neve na urdhërohet të procedojmë me këto vendime”, tha Daka.
Ndërsa Rrsutemi kundërshtoi duke thënë se për t’u zbatuar vendimi duhet të jetë i plotfuqishëm
”Sot nuk është i plotfuqishëm”, tha ai.
Këto vendime janë përkrahur me shumicë të votave nga anëtarët e KQZ-së.
Dje LDK-ja tregoi se ka kërkuar rinumërim në Prishtinë, ndërsa ankesa për votimin në Prizren ka bërë PDK-ja.
http://kallxo.com/ldk-u-frikesohemi-votave-te-porositura/
http://kallxo.com/haskuka-pzap-te-mos-bie-pre-e-presioneve-te-pdk-se/