Ratko Mlladiq në sallën e gjyqit. Foto: BETA.

Vendimi për Mlladiqin Shpallet më 22 Nëntor

Gjykata e Hagës sot caktoi 22 nëntorin si datën për vendimin e shkallës së parë në gjyqin e shefit ushtarak serb të Bosnjës Ratko Mlladiq.

Mlladiq akuzohet për gjenocid në Srebrenicë në vitin 1995 dhe gjashtë komuna të tjera boshnjake në vitin 1992, persekutim të popullsisë joserbe në Bosnjë dhe Hercegovinë, terrorizim të banorëve të Sarajevës dhe marrjen peng të paqeruajtësve të OKB-së.

Ai u arrestua në vitin 2011 pasi qe në arrati për më shumë se një dekadë dhe procedurat gjyqësore filluan në qershor të atij viti.

Në deklaratën e tyre përmbyllëse, prokurorët e Hagës i kërkuan gjykatës ta dënonte Mlladiqin me burgim të përjetshëm, ndërsa mbrojtja kërkoi lirimin e tij nga akuzat.

Avokatët e tij së fundmi thanë se do t’i kërkojnë gjykatës ta lirojë përkohësisht Mlladiqin për trajtim mjekësor në Serbi, pasi Beogradi premtoi se do të ofronte garanci se ish-kreu i ushtrisë Serbe të Bosnjës do të rikthehej në gjyqin e tij.

Mlladiq, tani 74 vjeç, ka pasur disa probleme serioze shëndetësore gjatë qëndrimit në njësinë e paraburgimit dhe ka pësuar dy infarkte dhe një atak në zemër.

Avokatët e tij thonë se gjendja e tij u përkeqësua edhe më shumë në maj të këtij viti. Ata këmbëngulin se ai duhet të marrë trajtim mjekësor në spital për shkak të rrezikut të një infarkti ose ataku në zemër.

Mbrojtja kërkoi në mars që Mlladiqit t’i jepej lirimi i përkohshëm dhe të lejohej të shkonte në Rusi, por gjykata e hodhi poshtë kërkesën, duke u druajtur se ai mund të mos kthehej.

Apeli i Vojisllav Sheshelit caktohet për më 13 dhjetor

Në një deklaratë të veçantë sot Mekanizmi për Gjykatat Penale Ndërkombëtare caktoi apelin e prokurorisë kundër lirimit nga akuzat të liderit të Partisë Radikale Serbe Vojisllav Shesheli për më 13 dhjetor.

Prokuroria do të ketë një orë kohë për të paraqitur apelin e saj dhe mbrojtja do të ketë një orë kohë për t’iu përgjigjur asaj.

Shesheli ka thënë se s’do të marrë pjesë në gjykatë dhe kjo e fundit ka caktuar një përfaqësues ligjor për të.

Më 31 mars të vitit të kaluar, gjykata e liroi nga akuzat Sheshelin për krime kundër joserbëve në Kroaci, Vojvodinë në Serbi dhe Bosnje dhe Hercegovinë.

Në apelin e saj prokuroria i kërkoi gjykatës të rrëzonte vendimin për lirimin e tij nga akuzat, ta shpallte Sheshlin fajtor dhe ta dënonte atë me 28 vjet burg.