Foto: KEK

Vendimet për Shipitullën pas Datës 10 Gusht

Qeveria e Kosovës nuk ka marrë asnjë vendim për evakuim emergjent të 8 shtëpive që janë në afërsi të mihjes së qymyrit, e të cilat ia pamundësojnë KEK-ut të vazhdojë nxjerrjen e qymyrit për qëllim të prodhimit të energjisë elektrike. Qeveria ka paralajmëruar që vendimi për shpronësim për Shipitullën mund të merret më 11 gusht.

Çështja e shpronësimeve në Shipitullë është diskutuar në mbledhjen e Qeverisë në detyrë që është mbajtur një ditë para se të konstituohet Kuvendi i ri, i dalë nga zgjedhjet e 11 qershorit.

Kryeministri Isa Mustafa ka thënë se Qeveria e Kosovës do të marrë të gjitha masat që Kosova të mos mbetet pa energji elektrike. Ka thënë se për Shipitullën mund të vendoset me datën 11 gusht.

“Është e nevojshme që Ministria e Financave të marrë të gjitha masat për vlerësimin e pronave në mënyrë që kur të përfundojë debati publik (i caktuar më 10 gusht), më 11 gusht mundet që Qeveria të marrë menjëherë vendimin përfundimtar”, tha Mustafa.

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferat Shala ka thënë se kjo ministri në kohë rekorde i ka përfunduar të gjitha obligimet ligjore për shpronësimet e iniciuara nga KEK-ut. Ka thënë se më 10 gusht është caktuar një dëgjim publik me banorët e fshatit Shipitullë. Ai ka thënë se derisa të përfundohen procedurat që i hapin mundësi qeverisë të merr vendimin përfundimtar për shpronësim, KEK-u ka mundësi që gjatë kësaj kohe të negociojë me banorët e këtij fshati për shpronësim.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci ka thënë se që nga data 11 gusht, pas dëgjimit publik, Qeveria duhet të marrë vendime të shpejta. Madje, ai ka thënë se nuk ka hapësirë për panik, anipse në KEK thonë se situata është emergjente dhe se termocentralet rrezikojnë të ndalen se prodhuari.

Evakuimi Emergjent i Shpitullës si Zgjidhje për Parandalimin e Territ