Ilustrim. Foto: Atdhe Mulla

Vendet e Quintit Kërkojnë Fushatë të Lirë dhe të Qetë

Vendet e Quintit me rastin e nisjes së fushatës për zgjedhjet lokale të 22 tetorit, u bëjnë thirrje të gjitha partive politike dhe kandidatëve që të angazhohen për fushatë të lirë dhe të qetë.

Ndërsa nga institucionet përgjegjëse presin që çdo raport për frikësime dhe kërcënime t’i ndjekin penalisht nëse ka fakte.

“Qytetarët meritojnë një proces zgjedhor të hapur dhe transparent ku të gjithë kandidatët kanë të drejtën që të dëgjohen nga votuesit, ku pjesëtarët e mediumeve kanë të drejtën që – pa kërcënim ose dhunë – të shpërndajnë informata për zgjedhjet, dhe ku të gjithë votuesit kanë të drejtën që të marrin vetë vendimet e tyre pa presion”, thuhet në deklaratë.

Vendet e Quintit përkujtojnë se liria për përkatësi politike dhe liria e fjalës janë të drejta të garantuara në një shoqëri demokratike, dhe fuqimisht dënojnë çdokënd që tenton të ndikojë procesin zgjedhor, apo që përmes frikësimit, kërcënimit dhe presionit tenton të ndikojë në zgjedhjet e bëra nga votuesit.

“Ne presim nga udhëheqësit e Kosovës dhe nga ata që kanë ambicie për udhëheqësi që të flasin fuqimisht kundër këtij lloji të sjelljes, dhe ne përkrahim përpjekjet e policisë vendore dhe prokurorëve që të hetojnë çdo raport të frikësimit, kërcënimeve, dhe detyrimit, dhe që të ndjekin penalisht këto nëse ka fakte. Ambasadat presin nga kandidatët që t’ju përmbahen këtyre standardeve gjatë gjithë fushatës, dhe i nxisin votuesit që të zgjedhin mençurisht ata kandidatë të cilët më së miri do t’i përfaqësojnë interesat e qytetarëve dhe të shtetit gjersa shteti synon vazhdimin e rrugëtimit drejtë integrimeve euro-atlantike”, thuhet në komunikatë. /21Media