Pamje nga seanca e sotme e gjykimit për vrasjen e Mentor Zekajt - Foto: KALLXO.com

Vëllai i Viktimës Dëshmoi në Gjykimin për Vrasjen në Pejë

Driton Zekaj ka ardhur nga Zvicra për të dëshmuar në Gjykatën e Pejës në gjykimin për vrasjen e vëllait të tij, Mentorit, për çka po gjykohet ish-shoku i tashmë të ndjerit, Kreshnik Haliti.

Dëshmitari rrëfeu para trupit gjykues se me të akuzuarin ishte takuar disa herë para se të ndodhte rasti tragjik. Për të tha se e njihte për shok të mirë të vëllait të tij.

Dëshmitari Zekaj tregoi se pasi kishin arritur nënshkrimin e kontratës për blerjen e një shtëpie në Pejë në vitin 2016, bashkë me vëllai e tij, Mentorin, kishin organizuar një festë në lokalin e tij.

Në këtë aheng dëshmitari tha se vëllai i tij kishte ftuar 5-6 shokë të ngushtë, në mesin e të cilëve ishte edhe tashmë i akuzuari Kreshnik Haliti.

Sipas tij, në atë kohë kishte ardhur nga Zvicra për t’i sjellë 120 mijë euro për pagesën e shtëpisë së blerë.

Sipas rrëfimit të tij, disa ditë pasi kishte shkuar sërish në Zvicër, vëllai i tij, Mentori, i kishte telefonuar dhe i kishte thënë se shoku i tij, Kreshniku, po ia kërkon disa para borxh, sepse është i kërcënuar.

“I thash (Mentorit): çfarë arsye ka ai që po i lyp paret? Më tha: O burrë u zatet, se po e kërcënojnë njerëzit për borxh, po e kërcënojnë me familje. I thash: koka puna keq, por ti e din që shtëpinë kemi me pagu në mars. Ai tha se do bëjnë marrëveshje me të (me Kreshnik Halitin), e tha se paret i kthen me 1 mars”, tha dëshmitari Zekaj.

Tutje ai tha se me këtë borxh asnjëherë nuk ishte marrë, derisa tregoi edhe për bisedën e fundit që kishte me vëllain e tij përmes telefonit në ditën kritike.

“Paradite kam biseduar me telefon me Mentorin. Më ka thënë: pasdite i sjell paret e borxhit (Kreshnik Haliti)”, tha ai.

Pas vrasjes së vëllait, ai tha se te paratë e dedikuara për pagesën për shtëpinë kanë qenë vetëm 34 mijë euro, ndërsa ai tha se pretendon se 86 mijë euro vëllai i tij i ndjerë ia kishte dhënë borxh Kreshnik Halitit.

Për këtë të fundit tha se vrasjen e kishte bërë vetëm për ta zhdukur borxhin.

Por kur i erdhi radha të parashtrojë pyetje, i akuzuari Kreshnik Haliti tha se “po fabrikohen disa raste të paqena”.

“Nga ajo që po thuhet këtu, po del që asnjë pagesë e asnjë kësti të shtëpisë, për këtë propozoi dëshmitar pronarin e shtëpisë, sepse këtu i nderuar trup gjykues po fabrikohen disa gjëra aspak të vërteta. Me të vërtetë ndjej keqardhje për familjen, por janë duke u fabrikuar disa të pavërteta”, tha i akuzuari.

Pasditen e 6 marsit të vitit të kaluar, Mentor Zekaj mbeti i vrarë nga të shtënat me armë zjarri në lagjen “Fidanishte” të Pejës.

Në këtë proces gjyqësor Kreshnik Haliti akuzohet për vrasje të rëndë të Mentor Zekajt.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi rreth këtij rasti.