Logo e LDK-së - Foto: Facebook

Veliu: LDK do të Qëndrojë në Opozitë

Veliu ka deklaruar se LDK nuk do të hyjë në koalicion as me Vetëvendosjen, pasi formimi i institucioneve u takon dy partive fituese, PDK-së dhe Vetëvendosjes.

Ai tha se deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës janë unik në qëndrimin e tyre për të mos votuar kandidatin për kryeministër dhe kryeparlamentar të propozuar nga PAN-i.

“Deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës janë unik, qëndrimi i Lidhjes Demokratike është unik i të gjitha strukturave, i kryesisë, i Këshillit të Përgjithshëm edhe kërkesë e anëtarësisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, po edhe i të gjitha strukturave edhe më poshtë, që Lidhja Demokratike kësaj here nuk e voton kandidatin e PAN-it as për kryetar të Parlamentit as për kryeministër”, tha ai.

Gjatë mbledhjes së kryesisë së LDK-së, Veliu tha se kanë diskutuar edhe për shefin e grupit parlamentar.

“Ne kemi vendosur sot për shefin e grupit parlamentar edhe e kemi rikonfirmuar edhe një herë qëndrimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës atë të Këshillit të Përgjithshëm, që Lidhja Demokratike e Kosovës nuk e voton kandidatin e PAN-it për kryetar të Kuvendit”, tha ai.

Lidhur me mundësinë për formimin e qeverisë me Vetëvendosjen, nënkryetari I LDK-së, Agim Veliu tha se ata do të qëndrojnë në opozitë dhe se qeverinë duhet ta formojnë dy partitë që kanë fituar më shumë vota gjatë zgjedhjeve të qershorit.

“Qëndrimi i fundit i përgjithshëm ka qenë që e drejta apo mundësia u takon atyre subjekteve politike që i kanë fitua zgjedhjet, në këtë rast Partisë Demokratike dhe Vetëvendosjes që të bëhen bashkë ashtu sikurse janë bërë bashkë me rrëzua qeverinë, të bëhet bashkë me ndërtuar qeverinë, me ndërtuar institucionet, ata kanë vota të mjaftueshme, ne do të qëndrojmë në opozitë“, shtoi më tej ai.

Lidhur me vizitën që Isa Mustafa e ka zhvilluar sot në rezidencën e ish presidentit Ibrahim Rugova, nënkryetari Veliu tha se këto vizita janë të rregullta, të cilat i realizon Lidhja Demokratike e Kosovës dhe kjo vizitë nuk është risi. /21Media