Krerët e kryeqyteteve të Kosovës dhe Shqipërisë, Shpend Ahmeti i Erion Veliaj - Foto: KALLXO.com

Veliaj: Më të Bashkuar se Sot S’kemi Qenë

Kryetarët e kryeqyteteve të Kosovës dhe Shqipërisë, Shpend Ahmeti e Erion Veliaj, janë dakorduar që të bashkëpunojnë dhe të shkëmbejnë përvoja në fushat që kanë të bëjnë me mandatin e tyre.

Gjatë një vizite në Prishtinë, i pari i Tiranës është pyetur edhe rreth debatit të kohëve të fundit rreth identitetit kombëtar dhe bashkimit kombëtar.

KALLXO.com e ka pyetur Veliajn në lidhje me qëndrimin e partisë në të cilën ai bën pjesë për bashkimin kombëtar, mirëpo ai i ka ikur pyetjes.

“Unë besoj që më të bashkuar se sot s’kemi qenë. Dhe për sa kohë që çdo ditë bëjmë pak progres drejt një bashkimi konkret dhe jo një bashkimi emocional, unë besoj që ky është një kontribut”, u shpreh kreu i Tiranës.

Mirëpo pas insistimit të KALLXO.com, Veliaj dha këtë përgjigje. “Do preferoja që ta mbaja fokusin tek qyteti dhe tek punët e qytetit. Punët e shtetit publiku ka zgjedhur dhe ka votuar njerëz të tjerë”, tha ai.

Ndërsa, kryetari i Prishtinës bëri me dije se Erion Veliaj do të ketë takime edhe me zyrtarë të Qeverisë e Kuvendit dhe se aty mund t’i parashtrohen pyetje rreth identitetit.

Në anën tjetër dy kryetarët u dakorduan për shumë çështje.

Kreu i Prishtinës tregoi se për çka do të shërbejë ky takim.

“Ne dëshirojmë që t’i krijojmë 5 sektorë të ndryshëm në të cilët do ta konkretizojnë bashkëpunimin. Që të shkëmbejmë përvoja në transportin publik, që të shkëmbejmë përvoja në arsim e në gjëra konkrete me të cilat merremi të gjitha komunat. Pra edhe kësaj radhe po e them kam marrë gjëra prej Erionit, ky ka marrë gjëra prej meje në Prishtinë”, tha Ahmeti.

Ndërsa, Erion Veliaj gjatë konferencës e vlerësoi lartë rolin e Komunës në mirëqenien e qytetarëve, duke e marrë edhe këtë shembull.
“Qyteti, bashkia, komuna është vendi që e pret njeriun sapo lind, kur e merr certifikatën e lindjes, dhe bashkia apo komuna është e fundit që të përcjellë në atë botë, kur shkon dhe largohesh nga kjo jetë – në varrezat e qytetit”, u shpreh Veliaj.

Po ashtu, kreu i Tiranës kujtoi se ka jetuar për një kohë edhe në Prishtinë dhe se me Ahmetin janë miq të vjetër.