Veizaj: Prishtina ka Lumë Energjinë Pozitive

Poetja nga Shqipëria Sabina Veizaj që do të qëndrojë në Prishtinë gjatë tërë muajit maj thotë se është dashuruar në kryeqytetin e Kosovës.

Qëndrimin në Prishtinë të Veizajt e mundësoi Qendra Multimedia në bashkëpunim me Rrjetin e Botuesve Evropianë TRADUKI dhe Institutin Goethe në kuadër të rezidencës letrare “Prishtina nuk ka Lumë”.

NDËRLIDHUR

Këto tri organizata do të sjellin shkrimtarë nga vendet e ndryshme në Prishtinë.

Pas Veizajt në kryeqytetin e Kosovës do të qëndrojnë  nga një muaj në kohë të ndryshme gjatë vitit Bogdan Stanescu nga Rumania, Georgi Grozdev nga Bullgaria, Belfiore Qose nga Shqipëria, Katharina Bendixen nga Gjermania dhe Tanja Sljivar nga Bosna dhe Hercegovina

Rezidenca letrare e cila organizohet çdo vit ka për qëllim që të njohë publikun kosovar me shkrimtarë të ndryshëm, mirëpo edhe shkrimtarët me Kosovën.

Sabina Veizaj tregoi për KALLXO.com përshtypjet e saj nga Prishtina.

Ajo tregoi së është hera e parë që qëndron kaq gjatë në Kosovë, kurse për Prishtinën tha se “është në vetvete frymëzim”.

“Energjia pozitive që çlirojnë njerëzit, atmosfera. Ka shumë pozitivitet në ajër. Më pëlqen edhe përqafimi që të japin prishtinasit. Është i ngrohtë, i vërtetë, i padjallëzuar. Të çliron të gjitha negativitetet.  Edhe ushqimi është shumë i mirë,” tregon ajo.

“N’këtë vend t’huaj flitet Gjuha ime/S’e lashë dot veten prej nga erdha/Tingulli i shiut qenka njëjtë/Kujtimet e kohëve të vdekura/Paskan të njëjtën shije,” janë disa nga vargjet që poetja ka shkruar nga frymëzimi prej Prishtinës.

Veizaj mohon se Prishtina nuk ka lumë.

“Lumi i Prishtinës është energjia pozitive që tërheq këdo që vjen në Prishtinë dhe kthehet sërish pas herës së parë,” sqaron ajo.

Sabina Veizaj e cila është gazetare me profesion ka qenë gjithashtu edhe pjesë e festivalit të letërsisë “Polip” ku ka lexuar disa poezi të saj.

“Pati panele diskutimi mbi letërsinë e angazhuar në lidhje me aktualitetin e gjendjes së refugjatëve në Evropë, mbi teatrin. Pati lexime nga shkrimtarët. Përveç shkëmbimeve në sferën intelektuale, letrare dhe kulturore, kaluam tri ditë të paharruara në Qendrën Multimedia me njëri-tjetrin,” tha ajo.

Veizaj ka shkruar tri poezi gjatë qëndrimit të deritashëm në Prishtinë, ndërsa thotë se është dashuruar në kryeqendrën kosovare.

“Kosovën e kam gjetur si një nuse adoleshente, por të matur dhe shumë të dashur. Jam përpjekur të shoh vetëm gjëra pozitive. Mos prisni që t’u jap kritika. Unë u dashurova me Prishtinën,” tha ajo.

Asaj i kanë bërë përshtypje edhe lypësit e Prishtinës. Për njërën nga ta ka thurur edhe vargje.

“Unë mendoj për vajzën e zymbylave/Qe s’dinte te numëronte/Bash, as vitet e saj për bese jo/Ajo dinte veç të buzëqeshte/Të kërkonte bakshish për atë buzëqeshje /Sa një diell”.

Edhe poezinë “Te tre” e ka shkruar në Prishtinë ku përmend edhe bulevardin dhe teatrin e Prishtinës.

“Jam në Prishtinë/S’kemi pasur rastin të flisnim për çështje patriotizmi a nacionalizmi/Ti me gjithë dashurinë për njerëzit e vendet, do ta kishe dashur shume Prishtinën/Bulevardin me kafe ku mund të gjeje një qoshe e të lexoje/A të hyje në bisedë me ndonjë personazh jetësor interesant/Do të zhyteshe në Teatrin Kombëtar për të ndjere aromerat e të gjithë vendeve nga kanë ardhur bash gjithë personazhet”.

Pas Sabina Veizajt në Prishtinë gjatë qershorit do të qëndrojë shkrimtari rumun Bogdan Stanesku.

Rezidenca Letrare “Prishtina nuk ka Lumë” ka filluar në muajin maj kurse do të përfundojë në tetor.

21 Maj 2016 - 09:06

Alberina Haxhijaj 21/05/2016 - 09:06
NDËRVEPRIMI40

Veizaj: Prishtina ka Lumë Energjinë Pozitive

by Kallxo
NA NDIQNI