Ganimet Klaiqi. Foto: Facebook

Vdiq Gazetari Ganimet Klaiqi

Familjarë të tij kanë njoftuar për vdekjen e tij sot përmes rrjeteve sociale.

I ndjeri Klaiqi ka punuar për afër dy dekada si gazetar në të përditshmen “Koha Ditore”, fillimisht si korrespondent nga rajoni i Gjilanit e më pas edhe në redaksinë në Prishtinë.

I lindur në Kamenicë, ai ka punuar si mësimdhënës i Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në shkollën fillore „Abdullah Krashnica–Presheva” në fillim të viteve 1990.

Ai ishte edhe fitues i çmimit të BE-së për gazetari hulumtuese për vitin 2015 për artikullin “Universiteti Ilegal Diplomatik”.

Në vitet e fundit, Klaiqi ka punuar ligjërues në Departamentin e gazetarisë në Kolegjin UBT.

Ndër mesazhet e fundit që ai dha në ditët e fundit të jetës është edhe për mbrojtjen e mendimit të lirë.

“Mos i sulmoni gazetarët për bindjen e lirë, ata mund të jenë shtyllat që i japin hov luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar! Janë tanët dhe ashtu i duam! “, porositi Klaiqi përmes rrjeteve sociale.