Komuna e Istogut | Foto: KALLXO.com

Vdes Pas Zënkës në Autobus

Një 16 vjeçar me inicialet A. A. ka vdekur në fshatin Banjë të Istogut pasi i është keqësuar gjendja pas një zënke në autobus.

Zënka sipas Policisë Rajonale të Pejës ka ndodhur në mesditë.

“Hetuesit në bashkëpunim me prokurorin e shtetit kanë arritur të mësojnë se sot më date 16 shtator 2016 rreth orës 12:00 në fshatin Banjë komuna Istog viktima shtetas shqiptar i Kosovës, A.A. (17.09.2000), kishte hyrë në autobusin ‘Meli Tours’ me qëllim që të shkojë në drejtim të Pejës. Aty krijohet një tollovi me ç’rast (sipas dëshmitarëve) fillon zënka në mes të viktimës dhe personave të dyshuar,” thuhet në komunikatën e policisë.

Policia tregon më tutje se si ndodhi ngjarja.

“Pas kësaj zënke që nuk kishte zgjatur, vitima zbret nga autobusi dhe shkon në fshatin Lubovë jo larg nga Banja. Pas arritjes në shtëpi iu kishte keqësuar gjendja shëndetësore dhe menjëherë nga prindërit e tij ishte trasportuar për në Spitalin Rajonal në Pejë,” vijon sqarimi policor.

Policia njofton se 16 vjeçari vdiq më vonë në spital.

“Përkundër përpjekjeve të ekipit mjekësor për t’i dhënë ndihmën adekuate mjekësore, i njëjti kishte ndërruar jetë,” thuhet në komunikatën e policisë.

Policia bën me dije më tutje se pas kësaj ngjarjeje ka shoqëruar në polici tre të mitur të lindur në vitin 2000.

“Hetuesit rajonalë kanë shoqëruar tre persona të moshës së lindur vitin 2000, pjesëmarrës në ketë zënkë të cilët janë intervistuar në prezencë të prindërve të tyre dhe mbrojtësve adekuat sipas procedurave dhe ligjeve në fuqi,” shpjegon policia.

Të shoqëruarve u është caktuar ndalimi 24 orësh policor, ndërsa trupi i pajetë i të ndjerit është dërguar për obduksion në Departamentin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë.