Familjarët kanë hapur të pame për Hamza Abazajn në Pejë - Foto: KALLXO.com

Vdes në Burg i Akuzuari për Vrasje në Pejë

Në Burgun e Dubravës dje ka ndërruar jetë i paraburgosuri 21 vjeçar, Hamza Abazaj, i cili është edhe shtetas suedez.

Familjarët e të ndjerit kanë hapur të pame tek shtëpia e tij në Pejë.

Ata nuk kanë pranuar të deklarohen rreth rastit. Thonë se do të presin raportin e autopsisë.

Lajmin për vdekjen e Hamza Abazajt në Burgun e Dubraves e ka konfirmuar për KALLXO.com edhe Ministria e Shëndetësisë.

“I paraburgosuri në Burgun e Dubravës, H.A., i lindur më 18.02.1996, ka vdekur të dielën si pasojë e dyshimit në arrest kardiak”, thuhet në përgjigjet për KALLXO.com të Divizionit për komunikim me publikun të Ministrisë.

Sipas përgjigjeve të Ministrisë bëhet e ditur se fillimisht i paraburgosuri ishte duke u trajtuar në Burgun e Prizrenit, mirëpo më pas ishte transferuar në Burg të Dubravës.

“I paraburgosuri ka qenë duke u trajtuar për shkaqe psikiatrike dhe për ide suicidale në QP në Prizren. Me kërkesë të këtij stafi, rasti është transferuar në Stacionarin e Burgut të Dubravës për monitorim më të lehtë të ideve dhe tentimeve suicidale të shprehura. Në këtë stacionar ka qenë duke u trajtuar tërë kohën”, thekson Ministria e Shëndetësisë.

Gjendja shëndetësore e të ndjerit ishte përkeqësuar dje në mëngjes, sipas njoftimit të Ministrisë së Shëndetësisë.

“Gjatë shpërndarjes së terapisë të dielën në mëngjes nga personeli mjekësor, është vërejtur se pacienti nuk e ka gjendjen e mirë shëndetësore dhe menjëherë mjeku kujdestar ka filluar të japë ndihmën e parë, bazuar në gjendjen shëndetësore dhe indikacionet. Pas përpjekjeve të vazhdueshme, mjeku ka konstatuar se pacienti duhet urgjent të dërgohet ne SP të Pejës, në Njësinë koronare pasi që, sipas tij, pacienti ka pësuar arrest kardiak dhe se ishte i pasuksesshëm vazhdimi i reanimimit në këto rrethana dhe madhësinë e sulmit. Kërkesa për transport është bërë rreth orës 09:50”, thuhet në përgjigjet për KALLXO.com.

“Menjëherë, me autoambulancën e burgut dhe nën përcjellje edhe të stafit mjekësor, rreth orës 09:55, pacienti është nisur dhe është dërguar në Pejë ku në Urgjencën e SP të Pejës, në orën 10:30 është konstatuar vdekja e tij”, bën të ditur Ministria.

Ministria thotë se rasti do hetohet sipas ligjeve në fuqi.

“Po ashtu, sipas ligjit, rasti është dërguar në autopsi për verifikim të shkakut të vdekjes, përkundër insistimeve te familjareve që të mos bëhet autopsia. Shkakun e vërtetë të vdekjes do ta tregojë autopsia”, thuhet në njoftimin për KALLXO.com.

Ndaj Hamza Abazajt bashkë me babain e tij, Isufin, po zhvillohej proces gjyqësor për vrasjen e Ibrahim Nezirit dhe plagosjen e Bleart Nezirajt.

http://kallxo.com/vrasja-ne-peje-refuzohet-kerkesa-per-hedhjen-e-aktakuzes/

Në këtë rast gjyqësor, babë e bir, Isuf e Hamza Abazaj, akuzohen nga Prokuroria Themelore e Pejës për vrasje të rëndë, plagosje dhe ndihmë për kryerje të veprës penale të vrasjes së rëndë.

Hamza Abazaj akuzohet për vrasjen e Ibrahim Nezirit dhe plagosjen e Bleart Nezirajt, përderisa babai i tij, Isufi, akuzohet për ndihmë në kryerjen e veprës penale të vrasjes së rëndë dhe pjesëmarrje në rrahje.

Në seancën e shqyrtimit të dytë fillestar, avokatët mbrojtës të dy të akuzuarve kërkuan hedhjen e aktakuzës.

Muharrem Hoti, avokat i Hamza Abazajt, kërkesën për hedhjen e aktakuzës e kishte parashtruar me shkrim tek gjyqtari i rastit, Sali Berisha.

Arsyetimi i tij ishte se ka prova për ekzistimin e rrethanave që e përjashtojnë përgjegjësinë penale të të pandehurit.

Ai u thirr në ekspertizën psikiatrike të bërë ndaj të mbrojturi të tij, ku tha së konstatohet se ka pasur dhe ende ka probleme psikike.

Arsyetimi i avokatit Hoti ishte se i mbrojturi i tij kishte pasur 70 herë vizita mjekësore në shtetin suedez nga viti 2014 deri vitin 2017.

Në arsyetimin e kërkesës për hedhjen e aktakuzës, avokati Hoti tha se në ekspertizë konstatohet se i pandehuri Hamza Abazaj veprën penale e ka kryer në gjendje të afektit dhe nuk ka gjykuar drejtë për rëndësinë e veprës se kryer, duke mos mundur t’i kontrollojë veprimet e tij.

KALLXO.com në vazhdimësi ka raportuar nga momenti i incidentit në Pejë e deri tek zhvillimi i procesit gjyqësor.