Pamje nga aksidenti i 22 gushtit në magjistralen Prishtinë-Podujevë - Foto: KALLXO.com

Vdes Edhe Një Prej të Aksidentuarve më 22 Gusht

Policia Rajonale e Prishtinës njofton se sot rreth orës 12:30 ka pranuar informacionin se ka ndërruar jetë personi S.P., mashkull, 30 vjeç, i cili ishte duke u trajtuar në repartin e Kujdesit Intensiv në QKUK.

I ndjeri ishte lënduar në aksidentin e trafikut të para një jave që kishte ndodhur në magjistralen Prishtinë – Podujevë, saktësisht në fshatin Sibovc të Podujevës.

Sipas Policisë, me urdhër të prokurorit të shtetit, trupi i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.

Në aksidentin që kishte ndodhur në mëngjesin e 22 gushtit kishte mbetur i vdekur një person dhe katër të tjerë ishin lënduar.

Bazuar në të dhënat që Njësiti i trafikut rrugor  posedon , numri i personave që kanë humbur jetën në aksidente trafiku që nga 1 janari deri më sot në rajonin e Prishtinës është 22.

Prandaj, përballë këtyre shifrave shqetësuese, Policia e Kosovës kërkon nga të gjithë pjesëmarrësit në trafik që të respektojnë me përpikëri të gjitha rregullat e kodit rrugor, në mënyrë që bashkërisht të ndikohet në uljen e numrit të ngjarjeve aksidentale, uljen e vdekshmërisë në komunikacionin rrugor, e rrjedhimisht ngritjen e shkallës së sigurisë në trafik.