Vdes Edhe i Plagosuri Tjetër te Parku

Edhe i plagosuri i dytë te parku i Prishtinës vdiq sot pasdite.

Lajmin për vdekjen e tij e bëri të ditur për KALLXO.com, Shpend Fazliu, zëdhënës i QKUK-së.

“Rreth orës 16 e 30, fatkeqësisht ka ndërruar jetë edhe i plagosuri i dytë i këtij rasti. Përkundër përpjekjeve të mëdha të ekipit mjekësor për t’ia shpëtuar jetën e tij, ai nuk ka arritur t’u mbijetojë plagëve,” tha Fazliu.

Sot në mesditë në parkun e kryeqytetit u plagosën dy persona, ndërsa njëri nga ta vdiq më herët.

Shpend Fazliu kur e konfirmoi vdekjen e të plagosurit të parë, tha se edhe gjendja e të dytit është e rëndë.

Policia me anë të një komunikate njoftoi se ka identifikuar të dyshuarin e mundshëm për plagosjet që më pas rezultuan të kenë qenë fatale.

14:05

Ka vdekur njëri nga të plagosurit te parku i Prishtinës.

Lajmin e ka konfirmuar për KALLXO.com zëdhënësi i QKUK-së Shpend Fazliu.

“Fatkeqësisht njani prej tyne ka ndërru jetë, i ditëlindjes 1994, edhe përkundër përpjekjeve të stafit ai nuk ka arritë me mbijetu,” tha Fazliu.

Ai tregoi se edhe i plagosuri i dytë ndodhet në gjendje të rëndë.

“Personi tjetër me inicialet A. G. 1995 vazhdon me qenë në sallë të operacionit, gjendja e tij është e vështirësume, por po bëhet maksimumi i stafit shëndetësor në mënyrë që me u mundu me e shpëtu,” sqaroi Fazliu.

13:12

Sipas policisë dy persona janë plagosur sot te parku i Prishtinës.

Plagosjen e tyre e konfirmoi për KALLXO.com zëdhënësja e Policisë Rajonale të kryeqytetit Florie Ahmeti.

“Ngjarja ka ndodhur rreth orës 11:40, dy persona janë plagosur te parku,” tha Ahmeti.

Ajo nuk dha ndonjë detaj tjetër për motivet e kësaj ngjarjeje.

Vetëm në gjysmën e dytë të gushtit janë vrarë shtatë persona me armë zjarri dhe armë tjera në pjesë të ndryshme të Kosovës.

a2