Nga një seancë e gjykimit të Kolë Pukës - Foto: KALLXO.com

I Vdekuri Ftohet të Dëshmojë në Gjyqin e ish-Gjykatësit

Në seancën e kaluar të rigjykimit të ish-gjykatësit Kolë Puka, i cili akuzohet për nxjerrje të kundërligjshme të vendimeve gjyqësore, pastrim parash e vepra të tjera penale, avokati i tij, Tahir Rrecaj, i kishte kërkuar trupit gjykues që si dëshmitar të dëgjohej Gj.N., kërkesë që ishte aprovuar.

Mirëpo, në këtë seancë u konstatua se dëshmitari në fjalë nuk do të mund të paraqitet në Gjykatë sepse ka ndërruar jetë para dy vitesh.

Në këtë seancë në cilësinë e dëshmitarit të propozuar nga prokurori Ali Rexha u dëgjua Nasur Ramuka, i cili në fillim i tha trupit gjykues se nuk e njeh Kolë Pukën.

I pyetur nga prokurori nëse kishte dëgjuar ndonjëherë për “Havaja Group”, dëshmitari tha se ai me “Havaja Group” kishin bashkëpunuar duke i furnizuar disa kompani të tjera me çimento, pasi që ai posedon një kompani për shitje të çimentos, të cilën e ka trashëguar nga babai i tij.

“Si kompensim nga “Havaja Group” kam marrë dy banesa, të cilat më vonë për të zhvilluar biznesin jam detyruar t’i shes”, tha dëshmitari Ramuka.

Dëshmitari deklaroi se njërën banesë ia kishte shitur tashmë të ndjerit Hilmi Hana të cilin e njihte nga Byroja Kosovare e Sigurimeve.

“Hilmi Hanen e kam njohur si njeri korrekt”, tha Nasur Ramuka.

Për shkak se në fillim të dëshmisë së tij tha se nuk e njihte të pandehurin Puka, avokati Rrecaj nuk i parashtroi pyetje.

Gjatë kësaj seance avokati Tahir Rrecaj i dorëzoi trupit gjykues dhe prokurorit disa shkresa si dëshmi për të gjitha pikat që janë të lidhura me propozimin e prokurorit për konfiskimin e aseteve.

Pas dorëzimit të këtyre shkresave nga avokati Rrecaj, trupi gjykues mori aktvendim që në lidhje me këto shkresa të vendosë në seancën e radhës nëse të njëjtat do të procedohen si prova apo ajo.

Ish-gjykatësi Puka akuzohet se më 4 qershor 2008 ka nxjerrë një vendim mbi kompensimin e pretendimeve në rastin e familjes së Rrustem dhe Qazim Gashit. Në të njëjtin rast sipas Prokurorisë Puka ka nxjerrë një marrëveshje shtesë gjyqësore më datë 4 qershor 2008 ku miratonte një pagesë të dyfishtë të pajustifikuar.

Sipas aktakuzës, Lon Palushaj ka përfaqësuar rastin “Familja Gashi”, ndërsa të njëjtën me një numër tjetër të lëndës e ka bërë edhe Zef Marleku. Sipas aktakuzës, asnjëri nuk ka pasur autorizimet përkatëse për këtë përfaqësim nga familjet e palëve të lënduara (dëmtuara).

Gjithnjë sipas aktakuzës, Kolë Puka ka nxjerrë vendime të paligjshme sepse ka vendosur mbi kërkesat për kompensim, pavarësisht nga fakti se kishte pasur dijeni që Zef Marleku dhe Lon Palushaj nuk ishin në përputhje me palët e përfaqësuara.

Aktakuza e prokurorit Rexha përshkruan se ish-gjykatësi Puka kishte miratuar si kompensim 56 mijë euro për Lon Palushajn, ndërsa në rastin tjetër i kishte miratuar shumën prej 61 mijë eurove Zef Marlekajt, ndërsa Hilmi Hana i kishte transferuar këto fonde në llogaritë bankare të avokatëve Zef Marleku dhe Lon Palushaj.

Pika tjetër e aktakuzës e ngarkon Kolë Pukën se mes datës 18 nëntor 2002 deri më 18 dhjetor 2007, duke shfrytëzuar pozitën e tij si gjykatës ka përdorur vulën zyrtare të Gjykatës Komunale të Klinës duke vulosur 19 autorizime për përfaqësim ligjor përkundër faktit se personat në fjalë nuk kanë dhënë pëlqimin e tyre për përfaqësim ligjor.

Ky gjykim po zhvillohet rishtazi pasi që Gjykata e Apelit kishte kthyer këtë rast në rigjykim.

http://kallxo.com/prokurori-ish-gjykatesit-puka-ti-konfiskohen-banesat-trolli-e-audi-a6/

KALLXO.com kishte raportuar edhe për gabime të tjera të gjykatave vendore.

Departamenti për Kundërvajtje i Gjykatës së Ferizajt kishte ftuar një qytetar të Kaçanikut të paraqitet në gjyq më 9 tetor 2016, që i binte ditë e diel.

http://kallxo.com/ftohet-ne-gjykate-diten-e-diel/

Ndërsa, një qytetar kishte raportuar në KALLXO.com se është ftuar në Gjykatën Themelore në Ferizaj më 30 shkurt 2016.

http://kallxo.com/ftohet-ne-gjykate-me-30-shkurt/