Një bebe e porsalindur | Foto nga Long Thai Linh/ EPA

Vdekshmëria e Foshnjave Shqiptare Shënon Rritje

Vdekjet e fëmijëve nën 1 vjeç në Shqipëri u rritën me mbi 19 për qind gjatë vitit 2016, duke shënuar edhe rritjen e parë në dy dekada të këtij treguesi, bëhet e ditur nga të dhënat statistikore të publikuara nga Instituti i Statistikave.

Gjatë vitit 2016, 277 fëmijë nën një vjeç humbën jetën për dallim nga 233 vdekje të tilla që qenë shënuar në vitin 2015.

Treguesi i vdekshmërisë foshnjore, i cili mat numrin e vdekjeve nën 1 vjeç në raport me lindjet, u rrit nga 7.1 në 8.7 për qind. Treguesi i vdekshmërisë foshnjore ka qenë vazhdimisht në rënie përgjatë dekadave të fundit në Shqipëri, megjithëse mbetet shumë më i lartë se sa në vendet fqinje apo në vendet e Bashkimit Europian. Por me përjashtim të fillimit të viteve 1990, viti 2016 është i pari vit që shënon rritje të vdekshmërisë.

Instituti i Statistikave publikoi së fundmi numrin e fëmijëve të vdekur nën 1 vjeç, publikim që bëhet çdo vit. Në total, në Shqipëri u regjistruan 277 vdekje të tilla, nga të cilët 146 qenë meshkuj dhe 131 femra.

Gjatë vitit 2016 në Shqipëri u regjistruan 31,733 lindje dhe vdekshmëria foshnjore rezulton 8.7 për mijë.

Vdekshmëria foshnjore pati shënuar nivelin më të ulët në histori në vitin 2015 me 7.1 vdekje për mijë.

Sipas të dhënave të EUROSTAT, vdekshmëria foshnjore për vitin 2015 mes 28 vendeve anëtare qe mesatarisht 3.6 vdekje për mijë lindje, ku nivelin më të lartë e shënon Rumania me 7.6 vdekje për mijë ndërsa më të ulëtën e shënojnë Estonia dhe Çekia me 2.5 vdekje për mijë lindje.

Të dhënat e vitit 2016 nuk janë raportuar ende nga EUROSTAT. Mes vendeve fqinje, të cilat raportohen nga EUROSTAT si vende kandidate për anëtarësim, Turqia e kishte vdekshmërinë foshnjore 10.7 për mijë ndërsa Maqedonia e kishte 8.6 për mijë.

Me rritje qe vitin e kaluar edhe vdekshmëria fëminore, e cila mat numrin e vdekjeve nën pesë vjeç për mijë lindje, shënoi rritje gjatë vitit 2016. Sipas Instat, vdekshmëria fëminore u rrit nga 8.9 për mijë që qe në vitin 2015 në 10.2 për mijë në vitin 2016.

Gjatë vitit të kaluar, në Shqipëri u regjistruan 44 vdekje foshnjash më shumë se sa në vitin 2015, por rritja qe e pabarabartë sipas gjinisë. Vdekjet e foshnjave meshkuj u shtuan me 12 ndërsa vdekjet e foshnjave femra u shtuan me 32. Vdekshmëria foshnjore në Shqipëri ka qenë historikisht më e lartë për meshkujt se sa për femrat, por në vitin 2016, kjo diferencë u ngushtua ndjeshëm.

Vdekshmëria foshnjore në Shqipëri filloi të matej për herë të parë në vitet 1930, kur u shënonin rreth 80 vdekje për çdo mijë lindje. Në vitin 1951, si pasojë e rritjes së shpejtë të lindshmërisë në vitet e pasluftës dhe vështirësive të mëdha ekonomike, vdekshmëria foshnjore shënoi kulmin historik në 121 vdekje për mijë lindje. Pas këtij viti vdekshmëria u ul gradualisht dhe në mesin e viteve 1980 qe 30 për mijë.

Shqipëria shënoi numrin më të ulët të lindjes në një shekull në vitin 2016, gjë që e bën rritjen e vdekshmërisë foshnjore dhe fëminore surprizues, për shkak se zakonisht rënia e numrit të lindjeve shoqërohet me rënie të vdekshmërisë foshnjore.

http://kallxo.com/nataliteti-ne-shqiperi-ne-nivelin-te-ulet-ne-100-vjet/