Vdekja si Pasojë e Mbrojtjes së Shtëpisë

Vjedhja grabitqare ndodhi në Vragoli të Fushë-Kosovës në vitin 2010, ndërsa të akuzuar për të janë Alfred Zylfaj, Shaqir Kuqi, Mehmet Krasniqi, Shkëlzen Dervisholli dhe Isuf Sllamniku.

Dëshmitë e të akuzuarve dhe dëmtuarve të paraqitura me video-lidhje në gjykatë, u bënë gjatë rikonstruktimit të vendit të ngjarjes më 3 tetor të vitit të kaluar.

I akuzuari Alfred Zylfiu atëherë pranoi se kishte shtënë me armë në shtëpinë ku grupi i të akuzuarve kishte hyrë për të vjedhur.

“Unë kam shtënë me armë një herë dhe pasi kam gjuajtur kam zhdrypur dhe dalë përmes korridorit dhe sallonit të shtëpisë,” kishte thënë i akuzuari Zylfaj.

I akuzuari Shaqir Kuqi deklaroi gjatë rikonstruktimit se ishte larguar nga shtëpia ku tentohej vjedhja, pasi ishte diktuar nga e zonja e shtëpisë.

“Del ajo gruaja dhe me thotë ‘çka u bo bre bir’. Unë i thashë hyn brenda se ne kemi ardhur me vjedhë dhe posa ajo gruaja ka hyrë brenda, unë kam dalë jashtë,” kishte thënë Kuqi.

Zylfaj e Kuqi thanë se kishin për qëllim vetëm të vidhnin në atë shtëpi, ndërsa nga Mehmet Krasniqi e Shkelzen Dervisholli kishin marrë informata se aty nuk ndodhej askush

Të dëmtuarit Sabrije Gashi, Armend Gashi dhe Albina Gashi, bashkëshortja, djali dhe vajza e viktimës i përshkruan veprimet që kanë bërë në momentin kur vërejtën se dikush u ka hyrë në shtëpi.

Ata treguan për tmerrin që kishin përjetuar kur e panë të ndjerin Gashi të mbuluar me gjak.

Ky rast është kthyer në rigjykim pas ankesave që kishin bërë prokurorja e rastit dhe avokatët e të akuzuarve.

Në vitin 2014 Gjykata Themelore në Prishtinë kishte dënuar Alfred Zylfajn më 15 vjet e gjysmë burgim, Shaqir Kuqin më 13 vjet e gjysmë burgim, Mehmet Krasniqin e Shkëlzen Dervishollin me nga 10 vjet dhe Isuf Sllamnikun më 2 vjet e 7 muaj burgim.

“Unë pres nga ky rigjykim dënim më të lartë për të akuzuarit,” tha për KALLXO.com përfaqësuesi i palës se dëmtuar Naim Rudari.

KALLXO.com raportoi edhe për seancën e kaluar e cila ishte shtyrë si pasojë e mungesës së IT-së.

http://kallxo.com/ska-kush-ti-leshoje-videot-shtyhet-seanca/