Vdekja na Vjen prej Politikave të Tilla

Sipas Enrique Penalosa, ish-kryetarit të qytetit të Bogotas, “nuk është vend i zhvilluar ai vend në të cilin qytetarët e varfër posedojnë vetura personale, por ai në të cilin qytetarët e pasur udhëtojnë me transport publik”. Por me këtë thënie të tij nuk pajtohet Ministri i Infrastrukturës z. Lutfi Zharku dhe kolegët e tij në Qeverinë e Kosovës.

Kur në mars të 2015 u mor vendimi për heqjen e kufizimit për importin e veturave, arsyetimi i Qeverisë ishte se politikat kufizuese të importit janë diskriminuese për ata qytetarë të varfër të cilët nuk kanë mundësi financiare që të blejnë vetura të prodhuara në 13 vitet e fundit. Përafërsisht i njëjti deklarim u dha edhe nga ministri Zharku më 13 prill 2016 në një debat të organizuar nga disa organizata të shoqërisë civile mbi efektin e veturave të vjetra në shëndet, ambient dhe siguri rrugore.

Posedimi i një veture personale nuk hyn në të drejtat themelore të qytetarëve. Por, e drejta për të jetuar në një ambient të pastër dhe e drejta për siguri janë të drejta bazike të çdo qytetari e qytetareje. Andaj, Qeveria e Kosovës nuk do të duhej që në emër të një të drejte të shpikur, siç mund të jetë ajo e posedimit të një veture për çdo familje, të rrezikojë të drejtën për ambient, shëndet dhe siguri.

Çdo vendim qeveritar dhe ligj i aprovuar, përveç qëllimit kryesor, bart edhe shumë efekte anësore. E pikërisht këto efekte anësore shpeshherë kanë ndikim më të madh se sa qëllimi kryesor për të cilin aprovohet ai ligj apo vendim. Kjo mund të ilustrohet me shumë ligje dhe vendime të nxjerra viteve të fundit.

Për shembull, përderisa Qeveria synonte të rris të hyrat buxhetore përmes ndryshimit të Ligjit për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, efekti anësor i një politike të tillë ishte shtrenjtimi i çmimeve për konsumatorët. Po ashtu, më 2015 Qeveria sponsorizoi Ligjin për Faljen e Borxheve, si masë për lehtësimin e gjendjes sociale të qytetarëve, por në këtë proces përfituan edhe shumë biznese të mëdha të lidhura me politikanët dhe biznese uzurpatorësh të pronës shoqërore.

Përderisa si arsyetim publik për heqjen e kufizimit të importit të veturave Qeveria e përmendte të drejtën e qytetarëve për të poseduar një veturë, jo publikisht ky vendim po merrej me qëllim të mbushjes së buxhetit shtetërorë. Falë një politike të tillë, Dogana grumbulloi mbi 40 milionë euro nga importi i veturave të vjetra. Por, dëmet reale në ambient, shëndet dhe siguri janë shumëfish më të mëdha.

Sipas një raporti të Bankës Botërore, dëmet ambientale në Kosovë kapin vlerën mesatare vjetore prej 222.9 milionë eurosh, ku vetëm ndotja e ajrit vlerësohet në 97.6 milionë euro. Vendimet e Qeverisë për importin e veturave dhe mos kontrolli i cilësisë së karburanteve ndikojnë dukshëm në kualitetin e ajrit.

Paratë e grumbulluara në dëm të ambientit dhe shëndetit nuk destinohen pastaj në sanim të ambientit. Përkundrazi, buxheti i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor për çdo vit është dukshëm më i vogël se sa nevojat për sanimin e gjendjes mjedisore. Madje as taksa për ambient të cilën e paguan çdo veturë me rastin e regjistrimit nuk shpenzohet për mbrojtjen e mjedisit.

Disa javë më parë, përfaqësuesi i Bashkimit Evropian në Kosovë u ankua në MMPH për gjendjen mjedisore në vend. Përgjigja e z. Ferid Agani ishte se ministria e tij përballet me mungesa të mëdha buxhetore dhe rrjedhimisht është e paaftë të trajtojë problemet mjedisore.

Kualiteti jo i mirë i ajrit ka ndikim direkt në shëndet. Sipas Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, sëmundjet respiratore prijnë në listën e sëmundjeve jo-ngjitëse, kurse sëmundjet kardiovaskulare prijnë në listën e sëmundjeve që shkaktojnë vdekjen.

Vendimet e paarsyeshme të Qeverisë rreth importit të veturave janë të ndërlidhura edhe me aksidentet e shumta në rrugë, shpeshherë me fatalitet. Të dhënat e Institutit GAP tregojnë se me heqjen e kufizimit të importit të veturave është rritur dukshëm edhe mesatarja e vjetërsisë së veturave në qarkullim si dhe numri i aksidenteve në komunikacion dhe numri i vdekjeve. Vetëm më 2015 aksidentet në komunikacion kanë lënë mbi 10 mijë persona të lënduar dhe 129 të tjerë kanë humbur jetën.

E përderisa Ministria e Financave sponsorizon vendime të cilat synim primarë e kanë mbushjen e buxhetit, në dëm të ambientit dhe shëndetit, e njëjta ministri ka bllokuar tani e disa muaj kredinë e Komunës së Prishtinës për blerjen e 60 autobusëve të rinj, të cilët do të zëvendësonin autobusët e stër-vjetruar në qytetin e Prishtinës.

Përgjegjësinë më të madhe për këtë gjendje e mban Ministria e Infrastrukturës. Por zgjidhja e kësaj çështje kërkon koordinimin e së paku pesë ministrive: Ministrisë së Infrastrukturës – përgjegjëse për monitorimin e qendrave për kontrollin e automjeteve; Ministrisë së Punëve të Brendshme – përgjegjëse për sigurinë rrugore dhe regjistrimin e automjeteve; Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë – përgjegjëse për kualitetin e karburanteve; Ministrisë së Financave – përgjegjëse për politikat e importit dhe akcizave; dhe Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor – sponsorizuese e udhëzimeve administrative për matjen e emetimit të gazrave të automjeteve. Mirëpo, përkundër asaj se këto ministri janë pjesë e së njëjtës qeveri, koordinimi i tyre është aq i vështirë sikur të bëhej fjalë për koordinim në mes të pesë shteteve.

Andaj, me qëllim të ruajtjes së ambientit dhe shëndetit, si dhe rritjen e sigurisë në rrugë, nevojitet ndryshim i politikave që kanë të bëjnë me importin dhe qarkullimin rrugorë të automjeteve. Instituti GAP ka dalë me rekomandime konkrete se si mund të zgjidhet ky problem. Pa humbur kohë, Qeveria e Kosovës duhet të rikthejë kufizimet e importit, jo duke u bazuar në vjetërsi të veturave, por në bazë të standardeve evropiane për emetimin e gazrave, duke filluar nga Euro 4.

Sipas këtyre standardeve, të aplikuara edhe nga vendet e rajonit, lehtësira në import kanë veturat e reja dhe ato të cilat lëshojnë më pak ndotës në ambient. Përveç kësaj, Ministria e Infrastrukturës do të duhej të aplikojë kontrolle më rigoroze dhe të dënojë ato qendra të kontrollit teknik të cilat nuk e kryejnë punën e tyre sipas kritereve të përcaktuara me udhëzimet administrative. Ministria e Tregtisë dhe Industrisë duhet të vendos kritere më të ashpra për kualitetin e derivateve të importuara. Kurse MMPH nevojitet që të kërkojë zbatimin e udhëzimit administrativ për limitet e ndotësve të liruar nga automjetet.