Foto: Rron Gjinovci

Vdekja e Trevjeçares Nxit Reagime për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore

Në mëngjesin e 6 qershorit, qytetarët e Prizrenit u pritën nga një lajm tragjik: Xheneta Gashi, një vajzë tri vjeçe, ishte gjetur në rrënojat e një shtëpie të vjetër në qendrën historike të qytetit e cila ishte shembur si pasojë e viteve të tëra të mospërfilljes. Përderisa institucionet ngurruan të reagonin, një zyrtar komunal e quajti familjen e viktimës “uzurpatore”, duke e bartur fajin te familja.

Xheneta jetonte me nënën dhe vëllain e saj binjak rrëzë njërës nga shtëpitë e vjetra dhe gjysmë të rrënuara në Qendrën Historike të Prizrenit. Nëna e saj, Lirija, ka apeluar që dikush ta mbajë përgjegjësinë e vdekjes së fëmijës së saj.

Si përgjigje ndaj heshtjes institucionale, më se njëzet organizata protestuan të mërkurën në qendër të Prizrenit. Ata kërkojnë dorëheqjen e kryetarit të komunës së Prizrenit, Ramadan Mujës, i cili po apelon një vendim gjykate për shpërdorim detyre; dorëheqjen e Ministrit të Kulurës, Kujtim Shalës dhe atë të ministrit të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferid Aganit, si dhe dhënien përparësi hetimit mbi vdekjen e Xhenetës.

EC Ma Ndryshe, një organizatë joqeveritare e Prizrenit e cila ka lobuar për ruajtjen e qendrës historike, e sheh vdekjen e fëmijës si “vrasje përmes mosveprimit”.

“Ne e shohim këtë si vrasje, ka thënë Hajrulla Çeku, drejtori i organizatës. “Po ashtu, Neni 8 i Kodit Penal të Kosovës përkufizon vdekjen e shkaktuar nga mosveprimi si vepër penale. Është një rast i qartë i neglizhencës institucionale”, është shprehur Çeku, haptazi i zemëruar me tragjedinë.

“Meqenëse nuk ia dolën në krye me propozimin për ndërhyrje në ato ndërtesa për dy vite me radhë, së paku kanë mundur ta ndalojnë lëvizjen e lirë të qytetarëve në rrugën Marin Barleti”, ka shtuar Çeku.

Në anën tjetër, Ministri i Kulturës, Kujtim Shala, e sheh ndërhyrjen e vonuar në shtëpitë gati të rrënuara si rrjedhojë e kufizimeve të paraqitura nga Ligji për Prokurime Publike.

“Ne kemi kemi kërkuar nga Zyra e Prokurimit dhe sekretari i Përgjitshëm [i Ministrisë së Kulturës] të analizojnë dhe të shohin mundësitë e konsultimit me Komisionin Rregullativ të Prokurimit Publik në mënyrë që të gjindet një zgjidhje brenda kornizës së ligjeve ekzistuese në Kosovë”, ka thënë Vjollca Aliu nga Departamenti i Trashëgimisë Kulturore në Ministrinë e Kulturës.

Aliu ka pohuar se Ministria ka bërë shumë përpjekje për të autorizuar ndërhyrjet te ndërtesat, por secili propozim ka dështuar sepse nuk ka pasur kompani të mjaftueshme qe kanë aplikuar për të marrë kontratë për renovimet. Ligji i Kosovës për Prokurimin Publik kërkon tre aplikues për çdo tender.

Çeku ka thënë se nuk ka arsyetime.

“Edhe nëse kanë provuar për dy vite ajo nuk do të thotë se ata e kanë përmbushur detyrën e tyre”, ka insistuar ai. “Puna nuk është kryer”.

Monumentet e (pa)mbrojtura kulturore të Kosovës

Ndërtesat e stërdëmtuara ose shemben ose prishen në pjesën e vjetër të qytetit të Prizrenit, përderisa institucionet vazhdojnë të grinden dhe të mohojnë përgjegjësinë për mbrojtjen e tyre.

Për më shumë, zinxhiri i ndërlikuar i burokracisë e bën të pamundur ndërhyrjen e shpejtë në raste emergjente, e ndonjëherë ajo zgjat me vite të tëra.

Sipas Ministrisë së Kulturës, lista e monumenteve të propozuara për mbrojtje përmban 1,525 prona të cilat janë nën mbrojtje të përkohshme dhe janë të ndara në pesë kategori të ndryshme si monumente arkeologjike, monumente arkitektonike, monumente të lëvizshme, monumente shpirtërore dhe natyrore.

Drejtori ekzekutiv i OJQ-së Cultural Heritage without Borders (Trashëgimi Kulturore pa Kufij), Sali Shoshi, ka thënë se institucionet nuk kanë ndonjë plan të qartë për regjistrimin dhe ruajtjen e monumenteve kulturore.

“Institucionet shtetërore nuk po i përgjigjen proporcionalisht situatës. Restaurimet dhe ndërhyrjet tjera po bëhen pa kryer vlerësime paraprake, ato po bëhen aty për aty,” ka shpjeguar Shoshi.

Çeku pajtohet.

“Nuk ekziston një listë e përhershme e monumenteve të mbrojtura, është vetëm një listë e përkohshme e monumenteve të mbrojtura.

Ministria e Kulturës i është shmangur një përgjigjeje të drejtpërdrejtë për këtë çështje.

“Ministria e Kulturës tashmë ka dërguar një propozim prej 100 monumenteve drejt Këshillit për Trashëgimi Kulturore në mënyrë që atyre t’u jepet statusi i monumenteve me mbrojtje të përhershme”, ka thënë Aliu.

Sidoqoftë, monumentet e trashëgimisë kulturore të Kosovës janë vazhdimisht të rrezikuara meqenëse nuk janë të mundura ndërhyrjet emergjente.

“Në Prishtinë për shembull, në vitet 2002-2007, 44% e ndërtesave që konsiderohen të monumente të mbrojtura janë shembur për arsye të ndryshme. Nga numri i plotë i 101 ndërtesave, 45 janë shembur dhe mendoj se kjo po vazhdon edhe në qytete tjera”, është shprehur Shoshi, dukshëm i shqetësuar.

Shkatërrimi i këtyre monumenteve ndodh nga shkaktarë natyrorë dhe shoqëror, ka shpjeguar Çeku. Ai nuk mendon se mbrojtja është çështje e pandjeshmërisë së qytetarëve.

“Në shumicën e rasteve nuk ka pasur ndihmë institucionale për t’i mirëmbajtur shtëpitë e vjetra”, ka thënë Çeku. “Shtëpitë e vjetra kanë nevojë për shumë mirëmbajtje që të jenë në gjendje të mirë”.

Shoshi nga CHwB-ja ka konfirmuar se në Kosovë, institucionet relevante nuk u ofrojnë ndihmesë pronarëve privatë të këtyre monumenteve.

“Duhet të ketë subvencione të ndryshme dhe ndihmesa fiskale, por asnjëra nga këto nuk ndodh në Kosovë”, ka thënë Shoshi.

Çeku ka deklaruar se temat që do të adresohen në protestën e sotme nuk lidhen vetëm me qytetin e Prizrenit, njërin nga vendbanimet më të vjetra në Kosovë, duke pohuar se ajo është arsyja se pse njerëz nga i tërë vendi do t’i bashkëngjiten protestës.

Çeku është zotuar se qëndresa e tyre qytetare do të vazhdojë edhe pas kësaj proteste.

“Vargu i veprimtarive tona mund të transferohet edhe në Prishtinë po qe se neglizhenca vazhdon”, ka thënë ai, duke shpjeguar zinxhirin e komandës kur vie puna për plotësimin e një kërkese për ndërhyrje, duke filluar nga komuna deri te qendra krahinore për trashëgimi kulturore brenda Ministrisë së Kulturës. Përkundër asaj, autoriteti i fundit që aprovon çdo ndërhyrje mbetet komuna.

Si e tillë, komuna e Prizrenit, e cila qëndron në krye të të gjitha renovimeve dhe ndërhyrjeve, mbetet fajtori kryesor.

“Në rastin e kësaj tragjedie, ne po flasim për dy gjëra: siguria publike dhe mbrojtja e monumenteve të trashëgimisë kulturore”, ka thënë Çeku. “Nuk ka kurrfarë dykuptimësei në ligj sa i përket kësaj çështjeje. Komuna duhet të kishte marrë masa por nuk bëri ashtu, prandaj është përgjegëse.

Prizreni i Sunduar nga të Fuqishmit e Hotelierisë