Vdekja e të Riut Nuk Ndiqet Shkaku i Gabimeve të Drejtësisë

Djaloshi tetëvjeçar Endrit Suka kishte humbur jetën më 25 mars 2005 si pasojë e një aksidenti derisa po luante me top në lagjen e tij në fshatin Bllacë të Suharekës. 

Ai sapo kishte ardhur nga shkolla në shtëpi, kishte ngrënë bukë dhe kishte dalë të luajë në lagje më shokët, thotë nëna e Endritit, Fatime Suka. 

“Pas tridhjetë minutash më ka ardhur lajmi se djali më ka vdekur”, tregon Fatimja.

Aksidenti dyshohet se është shkaktuar nga Dritan Durguti nga Rahoveci, i cili në ato momente kishte qenë duke vozitur dhe kishte ndalur kamionin kur kishte parë trupin e Endritit të shtrirë.

“Unë nuk kam kuptuar asgjë, pas 60-70 metrave kur jam ndalur e kam parë kufomën e shtrirë në krahun e majtë, gjë që nuk besoj ta kem bërë unë me kamion”. 

Pas aksidentit Durguti ishte paraburgosur menjëherë. “Për këtë rast kam qëndruar 22 ditë në paraburgim”, tha ai.

Pas paraburgimit prokurori i rastit Hashim Çollaku, atëkohë Prokuror i Prokurorisë së Qarkut në Prizren, më 4 maj 2005 kishte vendosur të pushonte të gjitha hetimet lidhur me këtë rast. 

Fatime Suka

Familja Suka, si palë e dëmtuar, pretendon se nuk është lajmëruar asnjëherë lidhur me pushimin e hetimeve dhe se prokuroria nuk kishte të drejtë të pushonte hetimet.

Avokatja Sabrije Sylaj, e cila përfaqëson familjen Suka, tha se se “nuk ka pasur raport të policisë e as të mjekësisë ligjore. Hetimet janë pushuar duke u bazuar vetëm në dëshminë e një dëshmitari dhe në ekspertizën e ekspertit të komunikacionit”.

Sipas procedurës penale, në secilin rast duhet të merren parasysh të gjitha provat, përfshirë raportin e policisë dhe raportin mjeko-ligjor.

Gazeta Jeta në Kosovë ka parë dosjen e rastit të Endrit Sukës të cilën e posedon avokatja Sylaj dhe këto dy dokumente nuk figurojnë në atë dosje.

Ish-Prokurori Hashim Çollaku nuk ka pranuar të komentojë rastin dhe aktualisht i njëjti është gjykatës në Gjykatën e Apelit.

Mirëpo, përfaqësues të Prokurorisë Themelore të Prizrenit thonë se lënda është e kompletuar.

“Hetimet janë pushuar sipas vlerësimit të prokurorit të rastit [Hashim Qollakut]. Raporti i policisë dhe mjekësisë ligjore gjendet në shkresat e lëndës”, tha kryeprokurori i kësaj prokurorie Sylë Hoxha.

Këto dy dokumente nuk përmenden në dokumentin e prokurorisë me të cilin janë pushuar hetimet.

Sipas Hoxhës, është çështje tjetër pse nuk janë cekur në vendimin mbi pushimin e hetimeve.

Sami Kurteshi

Gazeta ka parë edhe dosjen e prokurorisë në të cilën shihet se ekzistojnë ato dy prova, mirëpo ato është dashur të përmenden në vendimin për pushimin e hetimeve.

“Është dashur të ceken sepse unë si përfaqësuese e autorizuar e të dëmtuarës dhe vetë e dëmtuara [Fatime Suka] asnjëherë nuk e kemi parë raportin e policisë dhe atë të mjeksisë ligjore”, tha avokatja Sylaj.

Përveç ankesave ndaj vendimit për pushimin e hetimeve, avokatja Sabrije Sylaj thotë se familja Suka nuk është lajmëruar fare për këtë vendim.

Si rezultat, e ëma e Endritit ka humbur të drejtën e ankesës në pushimin e hetimeve.

Kryeprokurori Hoxha thotë se familja e ka pranuar njoftimin për pushimin e lëndës.

“Në shkresat e lëndës ekziston fakti që lëndën e ka pranuar familja, mirëpo më vonë kemi kuptuar se prindi i djalit që e ka pranuar ftesën ka probleme shëndetësore”, tha Hoxha.

Udhëzimi i gabuar

Duke parë se Fatime Suka ka humbur të drejtën e ankesës për shkak se njoftimi i është dorëzuar një personi me probleme shëndetësore, Prokuroria Themelore e Prizrenit ia ka dhënë një mundësi tjetër nënës së Endritit.

Mirëpo edhe mundësia e dytë nuk ka qenë e sukseshme spër shkak se kryeprokurori Sylë Hoxha e kishte udhëzuar gabimisht Fatime Sukën që të ushtronte padi në Gjykatën Komunale të Prizrenit.

Për veprën penale të aksidentit me pasojë vdekjen kompetente ishte Gjykata e Qarkut jo Komunalja.

“Nuk më kujtohet saktë se në cilën gjykatë e kam udhëzuar”, tha Syla.

Tentativat për gjetjen e shkaktarit të aksidentit janë shoqëruar edhe me nje gabim tjetër procedural që ka rezultuar në humbjen e të drejtës së nënës së Endritet që të vazhdojë rastin në prokurori dhe gjykatë.

Për shkak të udhëzimit të gabuar rasti është shyqrtuar nga Gjykata Komunale në Suharekë e cila e kishte shpallur veten si gjykatë jokompetente.

Rasti është dashur që të dërgohet nga kjo gjykatë në Gjykatën e Qarkut në Prizren e jo t’i kthehet Fatime Sukes ashtu siç kishte ndodhur.

Çështja e kompetencës është gjykuar nga gjykatësi Avdyl Elshani i cili nuk ka pranuar të komentojë rastin për arsye shëndetësore. Rasti nuk është komentuar as nga Nuredin Abazi përgjegjës i degës së gjykatës Themelore në Suharekë.

Kryetari i Gjykatës Themelore të Prizrenit, Ymer Hoxha, thotë se gjykata komunale e Suharekës ishte e obliguar që lëndën ta delegonte në Gjykatën e Qarkut në Prizren.

Pas lëshimeve të bëra nga prokuroria dhe gjykata familjes Suka i kishin kaluar të gjitha afatet ligjore për të kërkuar drejtësi për rastin e vrasjes së të birit Endrit Suka.

Mirëpo, Fatime Suka duke mos dashur të dorëzohet i është drejtuar edhe avokatit të popullit, Sami Kurteshi. 

Tash Kurteshi kërkon nga prokuroria që të rifillojnë hetimet për këtë rast.

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Sylë Hoxha, ka konfirmuar pranimin e raportit. 

“Ne e kemi pranuar raportin e avokatit të popullit dhe sigurisht që do të vendosim lidhur me ato që janë thënë në raport”, tha kryeprokurori Hoxha.

Sipas të dhënave të Këshillit Gjyqësor të Kosovës në vitin 2012 gjykatat kanë trajtuar rreth tetë mijë raste që kanë të bëjnë me rrezikim të trafikut publik. Prej tyre janë zgjidhur 3 mijë e 349 raste, por kanë mbetur pa u zgjidhur 4 mijë e 613 të tilla.

Nga rastet e zgjidhura 2 mijë e 528 prej tyre kanë përfunduar me gjobë, në 598 raste është shqiptuar dënimi me kusht,  201 raste janë zgjidhur në mënyrë tjetër dhe vetëm në 22 raste është shqiptuar dënimi me burgim.