Banorët lirojnë banesat, të cilat sipas vendimit të Gjykatës i mbanin të uzurpuara - Foto: KALLXO.com

Vazhdon Largimi i Banorëve nga Banesat e Uzurpuara

Banorët e objektit banesor në lagjen “Dardania” në Prishtinë kanë tërhequr gjësendet e tyre nga banesat, të cilat sipas vendimit të Gjykatës i kishin uzurpuar.

Ndonëse ishin në numër të madh, forcat policore nuk patën nevojë të ndërhynin sepse për dallim nga një javë më parë, banorët e kësaj pjese të objektit nuk kundërshtuan dëbimin nga banesat, të cilat i mbanin që nga paslufta.

Shaqir Uka, banor i objektit, tha se ai dhe fqinjët e tij nuk janë uzurpues dhe se kjo ngjarje është e politizuar.

“Po më duket se kjo çështje është e politizuar me politikën e shtetit që mendon me i largu këta njerëz në rrugë”, tha Uka.

Uka tregoi se ishte i pranishëm edhe në regjistrimin e banorëve në këto banesa dhe se ndihet i shqetësuar se kudo të gjejnë strehë ata që u dëbuan.

Ndërsa, kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ), Behxhet Shala, tha se është e papranueshme se si nxirren gjithë këto familje nga banesat pa iu gjetur paraprakisht ndonjë strehë.

“Ne kemi reaguar shkaku që është e palogjikshme dhe e papranueshme nga aspekti i të drejtave të njeriut që brenda një dite të nxirren 131 familje pa iu gjetur ndonjë strehim”, tha Shala.

Një javë më parë, gjatë dëbimit nga banesat, banorët kundërshtuan dhe madje u konfrontuan me policinë, e cila po asistonte në zbatimin e një vendimi të Gjykatës.

http://kallxo.com/policia-nxjerr-me-force-banoret-nga-banesat-e-uzurpuara/

Sipas vendimit të Gjykatës, këto banesa duhet t’i kthehen Ndërmarrjes Publike Banesore.