Seanca e gjykimit për vrasjen në Zveçan - Foto: KALLXO.com

Vazhdon Gjykimi për Vrasjen në Zveçan

Në Gjykatën e Mitrovicës ka vazhduar gjykimi kundër të akuzuarve për vrasjen e kryer në Zveçan.

Në seancën e sotme dëshmi dha eksperti mjeko-ligjor Flamur Blakaj.

Po ashtu, është dëgjuar edhe ekspertiza e paraqitur nga ekspertë të psikiatrisë Ajet Bunjaku, Fahri Drevinja dhe Valbona Blakaj.

Në seancë mungoi mbrojtësi i të akuzuarit Millosh Millovanoviq, avokati Rexhep Kaçaniku, por i pandehuri u pajtua që seancën ta vazhdojë pa mbrojtës. Kjo pasi që për veprën penale për të cilën akuzohet ky i pandehur me dispozita ligjore nuk përcaktohet në mënyrë të detyrueshme mbrojtja.

Pas pyetjes së prokurorit, eksperti mjeko-ligjor Flamur Blakaj tregoi pra trupit gjykues lidhur pozitën në të cilën kishin qenë të pandehurit në momentin kur kishin gjuajtur në drejtim të tani të ndjerit Nikolla Angjelkoviq dhe Gjorgje Angjelkoviq.

“Sa i përket përcaktimit të distancës se qitjes tek tani i ndjeri Nikolla Angjelkoviq rreth vrimave hyrëse nuk janë konstatuar faktorët plotësues të qitjes, andaj qitja si e tillë konsiderohet qitje nga largësia meqenëse njëra plagë hyrëse ka qenë në regjionin ballor të kokës kurse tjetra në bark, ku rezulton se autori ka qenë përball më të ndjerin. Ndërsa i dëmtuari Gjorgje Angjelkoviq pasi kemi bërë ekzaminimin e tij dhe mendimi është bazuar edhe në dokumentacionin mjekësor paraprak askund nuk janë konstatuar faktorët plotësues të qitjes andaj edhe këtu rezulton se qitja është bërë nga largësia”, tha eksperti.

Në seancë Blakaj gjithashtu në lidhje me rastin shpjegoi se në rastet kur tyta e armës ndodhet më larg se një metër nga i dëmtuari dhe konsiderohet se nuk mund të arrin faktorit plotësues të qitjes, atëherëë çdo qitje mbi një metër konsiderohet qitje nga largësia.

Kurse lidhur me përcaktimin e pozitës së të dëmtuarit dhe të pandehurit në rastin e qitjes eksperti tha se ishte e pamundur të përcaktohej për shkak se nuk e dinin me saktësi se cilat kishin qenë vrimat hyrëse dhe dalëse e aq më pak pozicionin e mundshëm të palëve në ngjarjen kritike.

Ndërsa sa i përket përcaktimit se a ishin shkaktuar plagët në trupin e viktimës nga arma e njëjtë eksperti para gjykatës shpjegoi se në raportin e autopsisë i cili ishte bërë në Serbi nuk ishte përshkruar ndonjë karakteristikë e përbashkët e dy vrimave hyrëse dhe dalëse për të pasur mundësi që të caktohet kalibri i predhës, por nga ana tjetër ai tha se edhe po të kishin qenë të ngjashme këto vrima hyrëse nuk lejohet që të përcaktohet kalibri i predhës në bazë të vrimave sepse ka edhe faktorë të tjerë si pozita e trupit ose tendosjet e lëkurës në momentin e pësimit të plagës që ndikojnë.

Gjithashtu eksperti Blakaj duke u bazuar nga plagët që kishin marrë i dëmtuari dhe i ndjeri në atë ngjarje, tha se i ndjeri nuk kishte pasur mundësi të lëvizte kurse sa i përket të dëmtuarit tha të ketë qenë vështirë e besueshme por se nuk përjashtohej kjo mundësi.

Ndërsa në ekspertizën e tre ekspertëve të psikiatrisë të përfaqësuar nga Ajet Bunjaku u tha se i pandehuri Petar Peshiq nuk vuante nga ndonjë sëmundje e përkohshme apo e përhershme dhe se nuk ishte evidentuar ndonjë çrregullim mendor tek ai.

“Bazuar në kërkesat e Gjykatës dhe pyetjet e parashtruara kemi konstatuar se Petar Peshiq nuk është person i cili ka ndonjë sëmundje psiqike të karakterit të përkohshëm apo të përhershëm dhe nuk është evidentu ndonjë ngecje në zhvillimin mendor të tij“, tha eksperti.

I akuzuari Petar Peshiq kishte qëndruar në Institutin e Psikiatrisë Forenzike 25 ditë vazhdimisht dhe gjatë kësaj kohe mjekët kishin pasur mundësinë që të bënin ekzaminimin e gjendjes se tij psikike lidhur me kohën kur kishte ndodhur ngjarja.

Ndryshe në aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Themelore në Mitrovicë, thuhet se në qershor të vitit 2016 në Zveçan i akuzuari Petar Peshiq pas një fjalosjeje me të ndjerin Nikolla Angjelkoviq kishte nxjerrë nga brezi revolen dhe kishte shtënë në drejtim të tij duke i shkaktuar plagë në sy dhe në stomak. I plagosuri ishte dërguar në qendrën klinike në Kragujevc të Serbisë dhe si pasojë e plagëve të marra kishte vdekur pesë ditë më vonë.

Me këtë ka kryer veprën penale vrasje e rëndë dhe mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve.

Aktakuza e ngarkon edhe Gjorgje Spahiqin se pas një përplasjeje verbale me Gjorgje Angjelkoviqin me dashje kishte tentuar ta privojë nga jeta, duke shtënë shtatë herë në të me ç’rast i dëmtuari ka marrë lëndime në gjoks, bark dhe këmbë, duke rrezikuar kështu edhe jetën e personave të tjerë.

Me këtë i njëjti ka kryer veprën penale -vrasje e rëndë në tentativë.

Kurse i pandehuri Millosh Millovanoviq akuzohet për mbajtje në pronësi dhe posedim të paautorizuar të armëve.