Vazhdon Gjykimi për Padinë e Buzhalës

Pronari i “Gazetës Express”, Berat Buzhala, ka dëshmuar në procesin gjyqësor kundër dy kompanive të vëllezërve Devolli dhe kompanisë “Kristal-B”, të cilat i ka paditur për billbordet sipas tij me përmbajtje fyese për të.

Në Gjykatën e Pejës, Buzhala tha se vëllezërit Devolli nisën fushatë denigruese ndaj tij pas publikimit të disa hulumtimeve lidhur me disa produkte që janë në pronësi të tyre.

“Fushata ka qenë përveç tjerash edhe denigruese edhe në kuptimin e vënies në theks të figurave të mia fizike siç janë veshët”, tha Buzhala.

Më tej, Buzhala tha se për shkak të ngacmimeve që ndërlidhen me fotografitë në billborde, fëmijët e tij nuk kishin shkuar tri ditë rresht në shkollë.

“Përkundër faktit që janë hekur panot, komplet interneti vazhdon me kanë i mbushur me ato pano. Fëmijët e mi në baza të rregullta ngacmohen prej bashkëmoshatarëve për shkak të kësaj kampanje”, tha ai.

Buzhala tha se ka informacione që iniciator i kësaj fushate ka qenë Blerim Devolli, njëri nga pronarët e kompanive të paditura.

Lidhur me dëmshpërblimin e kërkuar në vlerë prej 250 mijë eurove, Buzhala tha se nëse e fiton kontestin këtë shumë parash do ta dhurojë për fëmijët e sëmurë.

Ndërsa, avokati i “Devolli Group”, Virtyt Ibrahimaga, tha se kompania që ai përfaqëson nuk ka të bëjë asgjë me këtë rast.

“Neni 11 i Ligjit për Parandalimin e Shpifjes dhe Fyerjes i merr në përgjegjësi autorët, redaktorët dhe botuesit. Në rastin konkret ‘Devolli Group’ nuk ka qenë as autor as redaktor as botues i pretendimit”, tha ai.

Po ashtu, ai theksoi se kompania “Devolli Group” nuk ka pranuar asnjëherë ndonjë ankesë për fyerje të ndonjë personi nga ndonjë postim.

Kurse, avokati Gëzim Kollçaku tha së veprimet e kompanisë që ai përfaqëson nuk bien ndesh me asnjë element të Ligjit për Fyerje. “Në veprimet e të paditurit N.Sh.T “Kristal B” nuk janë plotësuar asnjë element që kërkohet te neni 11 të Ligjit ku kemi të bëjmë për fyerje”, tha Kollçaku.

Ai shtoi se as kërkesë-padia nuk i plotëson asnjërën nga kushtet e Ligjit për Fyerje dhe Shpifje.

Ndërsa, Arianit Koci, avokat i paditësit, tha se të paditurit me veprimet e tyre metaforikisht kanë tentuar ta “vrasin” klientin e tij.

“Paditësin Berat Buzhala metaforikisht kanë tentuar ta ‘vrasin’. Ka pësuar Berati, por ka pësuar më shumë familja e tij, e posaçërisht fëmijët e tij. Me ketë veprim është rrezikuar siguria e qytetarëve të Kosovës dhe po demonstrohet publikisht që dikush është mbi ligjin”, tha Koci.

KALLXO.com në dhjetor të vitit të kaluar raportoi për dëmshpërblimin që gazetari Buzhala kërkon nga tri kompanitë për fyerje dhe fushatë denigruese ndaj tij.

http://kallxo.com/buzhala-kerkon-250-mije-euro-demshperblim-nga-devollet/

Seanca e radhës u caktua të mbahet më 24 prill.