Pamje nga një seancë në rastin e njehsorëve "Kohler" - Foto: KALLXO.com

Vazhdon Gjykimi për Njehsorët ‘Kohler’

Në seancën e sotme gjyqësore në rastin për njehsorët “Kohler”, ku po gjykohen zyrtarë të Agjencisë së Metrologjisë së Kosovës të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë , ka dëshmuar Agim Prokshaj, pronar i ordinancës “O.S Prodent”.

Dëshmitari Prokshaj deklaroi se kishte bërë disa herë ankesë për parregullsitë e faturimit të energjisë, që lidhen me mosleximin e rregullt të orës dhe kalimin nga tarifa verore në atë dimërore, për çka i është dashur të paguante një vlerë të shtuar të rrymës.

Agim Prokshaj tha se kishte paguar shuma shumë më të larta të energjisë në kohën sa kishte në përdorim orën digjitale “Kohler”, të cilën pas ankesave të vazhdueshme KEDS ia kishte ndërruar njehsorin me një “Iskra” digjital.

Në pyetjen e prokurorit Hivzi Bajraktari se a qëndron prapa deklaratës së dhënë në Polici, dëshmitari Prokshaj u përgjigj me po.

Ndërkaq, avokati mbrojtës i të akuzuarit Avni Alidemajt, Besnik Berisha, tha se fatura në ordinancën të cilën e ushtron veprimtarinë dëshmitari Prokshaj në periudhën kohore shkurt-prill të vitit 2015 me njehsorin “Iskra” digjital ka qenë për 100 euro më e lartë sesa në periudhën e njëjtë kohore të vitit 2014 kur e kishte njehsorin “Kohler”.

“A keni ushtruar ankesë pasi që në shkurt-prill 2015 i keni 100 euro më shumë se sa në muajt e njëjtë në vitin 2014?”, pyeti dëshmitarin avokati Berisha.

Një gjë e tillë u mohua nga ana e dëshmitarit. “Nuk besoj se është e vërtetë”, tha Prokshaj.

Ndërkaq, avokati potencoi se që nga viti i kaluar është bërë zbritje për biznese prej 8% për shpenzimin e energjisë dhe për një gjë të tillë ishte në dijeni edhe vet dëshmitari Prokshaj.

“A po e shihni se keni paguar më shumë rrymë me njehsorin digjital se sa me njehsorin ‘Kohler’?”, ishte pyetja tjetër e avokatit Berisha drejtuar dëshmitarit.

“Jo, sepse nuk e kam të qartë komplet vitin 2014 dhe 2015, por për periudhën kohore për të cilën kam ankuar dëshmoj edhe sot këtu se për periudhat kohore Maj-Tetor 2014 krahasuar me Maj-Tetor 2015 diferenca është 548,76 € do të thotë se për 548,76€ njehsori Digjital Kohler ka shënuar më tepër se njehsori digjital Iskra”, u përgjigj Prokshaj.

Dëshmia e dëshmitarit Prokshaj mbaroi me pyetjet e trupit gjykues dhe seanca e radhës do të mbahet në muajin prill.

Aktakuza ndaj Vjollca Ajvazit, Drita Hamitit dhe Avni Alidemajt u ngrit nga Prokuroria Themelore e Prishtinës më 6 tetor 2015.

Pjesë e aktakuzës ka qenë edhe Blerim Sokoli, i cili ndërkohë kishte vdekur.

Në këtë gjykim, ish-drejtori i Agjencisë së Metrologjisë së Kosovës në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, tanimë i ndjeri Sokoli, është akuzuar se në bashkëveprim dhe duke e shfrytëzuar detyrën zyrtare, iu ka mundësuar palëve të interesit KEDS dhe atyre “Kohler” të përfitojnë dobi në mënyrë të kundërligjshme.

Sipas aktakuzës, pasi që dy zyrtarët e Metrologjisë Vjollca Ajvazi dhe Drita Hamiti kanë shqyrtuar dokumentacionin për miratimin e lejimit të tipit të njehsorit elektrik digjital të prodhuesit “Kohler”, Sokoli ka pranuar që ta licencojë në mënyrë të kundërligjshme njehsorin elektrik digjital të tipit “AEL. TF.04-1” të firmës “Kohler” nga Turqia.

Vjollca Ajvazi akuzohet se në mënyrë të paligjshme i rekomandoi Sokolit lejimin e këtij tipi të njehsorit, ndërsa Drita Hamiti ngarkohet se i ndihmoi Ajvazit për këtë rekomandim.

Blerim Sokoli akuzohej se lejoi instalimin e këtij lloji të njehsorit duke ditur nga terreni problemet e shfaqura gjatë matjes nga këta njehsorë.

Në aktakuzë thuhet se jo vetëm Sokoli, por edhe të tjerët dinin për matjet e gabuara të këtyre njehsorëve.

KALLXO.com ka raportuar edhe nga seancat e kaluara të këtij rasti.

Në maj të vitit 2015 në Emisionin “Jeta në Kosovë” u diskutua për hetimet rreth njehsorëve të markës “Kohler”.

Redaktoi: Naser Sertolli

Shënim: Artikulli u plotësua më 10.03.2017 me deklarata shtesë nga dëshmitari Agim Prokshaj.