Çekani i gjykatës - Foto: KALLXO.com

Vazhdon Gjykimi për Grabitjen e Lopës në Vitin 1999

Në bazë të aktakuzës, babë e bir, Haki e Sadat Qamili, akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale të grabitjes. Po ashtu, Sadati akuzohet edhe për veprën penale mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.

Haxhi Mustafa gjatë deklaratës së tij para trupit gjykues tha se edhe para vitit 1999 me Sadatin dhe familjen e tij nuk kanë pasur raporte aq të mira.

“Edhe në vitin 1997 Sadati me dy shokët e tij kanë hyrë në shtëpinë time dhe më kanë plaçkitur”, tha Haxhi Mustafa.

Ai tha se edhe këtë rast e kishte paraqitur në Polici, por që asnjëherë nuk kishte marrë ndonjë ftesë për t’u deklaruar rreth këtij rasti në gjykatë dhe se nuk e di se çfarë ka ndodhur me të.

Haxhi Mustafa gjatë deklaratës së tij theksoi po ashtu se po në vitin 1999 pak para këtij rasti edhe një herë më herët motra e Sadatit kishe tentuar t’ia merrte një lopë.

“Më kujtohet se edhe para këtij rasti motra e Sadatit gjithashtu në vitin 1999 ka tentuar të ma merr një lopë nga turma e lopëve deri sa kanë qenë duke kullotur”, shtoi i dëmtuari Mustafa.

Në pyetjen e avokatit të Sadat Qamilit, Veton Rrecaj, se sa kishte qenë distanca në kohën kur siç pretendon ai Sadati e kishte gjuajtur me revole, Haxhiu tha se në atë moment ai ka qenë në stallë e i akuzuari afërsisht 10 metra larg.

“Brenda në stallë kanë qenë edhe nëna e Sadatit dhe dy motrat e tij e edhe babai i Sadatit, Hakiu, i cili në dorë e mbante një tërfurk me sa më kujtohet”, tregoi Haxhi Mustafa.

Avokati e ballafaqoi Haxhi Mustafën me deklaratat e dhëna më herët. Në një rast ai kishte thënë se Sadati kishte gjuajtur në ajër. Prandaj e pyeti nëse Sadati ka gjuajtur në drejtim të tij apo në ajër.

E Mustafa shpjegoi se deri sa ai ishte në stallë Sadati kishte gjuajtur në drejtim të tij dhe edhe kur kanë dalë jashtë dhe kur ai kishte rezistuar që t’ua jepte lopën duke tentuar ta marrë e ta fusë brenda në stallë, Sadati kishte qëlluar përsëri në drejtim të tij.

“Kur kemi dalë jashtë unë tentoja ta marr lopën e ta shti brenda në stallë, atëherë Sadati përsëri ka shtënë në drejtim timin por nëna e tij dhe kojshia Bekimi kanë ndërhyrë dhe plumbi ka devijuar dhe ka shkuar në ajër”, u përgjigj Haxhi Mustafa.

Edhe avokati i Haki Qamilit, Faik Hoxha, e ballafaqoi të dëmtuarin me deklaratën e tij të mëhershme të dhënë në Prokurori, ku ai kishte thënë se vetëm e kishte dëgjuar zërin e Hakiut por që nuk e kishte parë të njëjtin.

“A e keni parë Hakiun në oborrin tuaj apo vetëm e keni dëgjuar, se në Prokurori keni thënë që e keni dëgjuar vetëm zërin e tij”, e pyeti avokati.

E i dëmtuari Haxhi Mustafa u përgjigj: “Edhe e kam parë e edhe e kam dëgjuar zërin e tij, kur e kam parë Hakiun dhe kur e kam dëgjuar zërin e tij kam qenë brenda në ahur”.

Ai tregoi se pozita për ta parë kishte qenë shumë e mirë për shkak se pamja në stallë është e dukshme, sepse janë dy dritare dhe dera.

Ndër të tjera, në përfundim të deklaratës së tij, Haxhi Mustafa tha se i vjen keq pasi që ky rast i ka acaruar edhe më tepër raportet fqinjësore, por ai tha se e konsideron veten të dëmtuar dhe theksoi se do të parashtrojë edhe kërkesë pasurore-juridike.

Deklaratën e tij rreth këtij rasti e dha edhe dëshmitari Emin Beqiri, i cili tha se nga bashkëfshatarët e tij kishte dëgjuar se familjet Qamili dhe Mustafa kanë pasur një konflikt në mes vete, ku disa prej tyre kishin thënë se ka pasur edhe të shtëna e disa të tjerë jo.

Ai tha se nga ajo se çfarë flitej ai kishte kuptuar që arsyeja thuhej të ketë qenë një lopë.

Dëshmitari tha se nga bashkëfshatarët e tij ka kuptuar edhe se disa ushtarë të UÇK-së kishin qenë në shtëpinë e familjes Qamili, ku kishin konfiskuar një revole.

Për këtë ngjarje ai tha të ketë biseduar me Haxhiun dhe ai i kishte treguar versionin e tij rreth rastit.

Sipas aktakuzës Haki e Sadat Qamili në oborrin e shtëpisë së të dëmtuarit Haxhi Mustafa në fshatin Babush, komuna e Lipjanit, kanë përvetësuar pasurinë e luajtshme të personit tjetër me qëllim që vetit t’i sjellin dobi pasurore të kundërligjshme, në atë mënyrë që së pari kanë tentuar t’ia marrin një lopë bardh e zi, por pasi që i dëmtuari kishte rezistuar, të njëjtit janë larguar nga oborri për t’u kthyer më vonë me ç’rast i pandehuri Sadat i ishte kërcënuar me revole ngjyrë hiri të dëmtuarit duke i thënë: “Nëse nuk na lejon ta marrim lopën kam me të vra”, si dhe duke shtënë dy herë në drejtim të ahurit ku ka qenë i dëmtuari ashtu që me ndihmën e Hakiut kanë arritur ta zgjidhin dhe ta marrin një lopë tjetër ngjyrë kafe e ta dërgojnë në shtëpinë e vet, ndërsa gjatë largimit i pandehuri Sadat kishte shtënë edhe një herë në ajër.

Seanca e radhës do të mbahet në fillim të muajit qershor me ç’rast dëshminë e tyre rreth këtij rasti pritet ta japin edhe dëshmitarët Metije Mustafa, Behlul Hashani e Fetije Qamili.

KALLXO.com ka raportuar edhe nga seanca e kaluar e këtij rasti.

http://kallxo.com/fillon-gjyqi-per-grabitjen-e-lopes-ne-vitin-1999/