Gjykata Speciale në Beograd | Foto: BIRN

Vazhdon Gjykimi i Parë në Serbi për Srebrenicën

Gjyqi i tetë ish-policëve të akuzuar për një masakër të boshnjakëve nga Srebrenica në fshatin Kravica në korrik 1995 mund të vazhdojë pasi Gjykata e Apelit në Serbi vendosi të mërkurën se prokurori nuk duhet të ngrejë padi të reja, njoftoi agjencia e lajmeve Beta.

Gjyqi u hap në shkurt të këtij viti, por akuzat fillestare u hodhën poshtë në korrik sepse ato nuk ishin ngritur nga prokurori i autorizuar, duke qenë se posti i prokurorit të krimeve të luftës në atë kohë ishte vakant.

Prokurorja e re e krimeve të luftës, Snezana Stanojkoviq, më pas paraqiti një mocion për të vazhduar gjyqin, por kjo u refuzua nga Gjykata e Lartë.

Vendimi i Gjykatës së Lartë tani është rrëzuar nga Gjykata e Apelit, duke lejuar kështu vazhdimin e gjyqit.

Tetë ish-anëtarë të një njësie të Policisë Speciale Serbe të Bosnjës dolën në gjyq në shkurt të këtij viti, të akuzuar për organizimin dhe pjesëmarrjen në vrasjen e më shumë se 1,300 civilëve në një depo bujqësore në fshatin Kravicë afër Srebrenicës në korrik 1995.

Nedeljko Milidragoviq, Aleksa Golijanin, Milivoje Batinica, Aleksandar Daceviq, Bora Miletiq, Jovan Petroviq, Dragomir Paroviq dhe Vidosav Vasiq akuzohen se kanë kryer krime lufte, duke vrarë të burgosurit boshnjakë të kapur pas rënies së Srebrenicës në duart e forcave serbe të Bosnjës.

Vrasjet në depon në Kravicë ishin midis disa masakrave të kryera nga forcat serbe të Bosnjës pas rënies së Srebrenicës në korrik 1995 ku mbetën të vdekur rreth 8,000 burra dhe djem boshnjakë.

Deri më tani janë identifikuar më shumë se 1,300 civilë të cilët u masakruan në Kravica. Trupat e tyre u gjetën në disa varre masive në Bosnjë dhe Hercegovinë.

Prokuroria boshnjake më parë ngriti akuza për gjenocid kundër Milidragoviqit dhe Golijaninit, por nuk mundi t’i arrestonte ata, sepse kanë jetuar në Serbi që prej përfundimit të luftës në Bosnjë në vitin 1995.

Pasi Serbia dhe Bosnja nënshkruan një protokoll për bashkëpunim në krimet e luftës në vitin 2013, provat nga prokuroria boshnjake u transferuan në Beograd.

Sipas akuzave të ngritura nga prokuroria e Bosnjës, Milidragoviq, një ish-komandant i një skuadre nga Qendra e Trajnimit “Jahorina” e Policisë Speciale Serbe të Bosnjë dhe Golijanin, një ish-zëvendëskomandant i një skuadre të Qendrës së Trajnimit “Jahorina”, kryen gjenocid kundër boshnjakëve nga Srebrenica midis 10 dhe 19 korrikut 1995.

Megjithatë, prokuroria serbe tha se nuk mund të vërtetonte akuzat për gjenocid të ngritura nga prokurorët boshnjakë dhe në vend të kësaj i akuzoi burrat për kryerjen e një krimi lufte.

Serbia nuk e pranon që masakrat e Srebrenicës përbëjnë gjenocid, pavarësisht vendimeve nga gjykatat ndërkombëtare.