Çekani i gjykatës - Foto: KALLXO.com

Vazhdon Gjykimi i Ish-Inspektorit të Akuzuar për Marrje Ryshfeti

Ndërsa ndaj  ish të akuzuarve të tjerë, Mexhid Krasniqi dhe Salih Dakaj, është parashkruar lënda. Ata akuzoheshin se i dhanë të holla Bajramit për t’ua mundësuar hedhjen e dheut në atë lokacion.

Fatmir Bajrami i ftuar që të dëshmojë para trupit gjykues për ato që i dinte në lidhje me rastin, pasi që u njoftua nga ana e trupit rreth të drejtave të tij rreth çështjes së dëshmisë, tha se nuk dëshiron të deklarohet lidhur me çështjen pasi që të akuzuarin e ka vëlla.

Me këtë rast, trupi gjykues mori aktvendim me të cilin dëshmitarin e liroi nga obligimi për të dëshmuar.

Kryetarja e trupit gjykues, Nora Bllaca, deklaroi se për këtë rast të akuzuar kanë qenë edhe dy persona të tjerë, Mexhid Krasniqi e Sali Dakaj, për të cilët tha se është parashkruar aktakuza, prandaj është veçuar lënda.

Andaj mbrojtësi i të akuzuarit Avni Bajrami, avokati Ekrem Avdushi, i propozoi trupit gjykues se si dëshmitar të ftohen Mexhid Krasniqi e Sali Dakaj pasi që për ta është parashkruar lënda.

“Me qenë se Gjykata ka marrë vendim me të cilin pjesërisht e ka hedhur aktakuzën ndaj Mexhid Krasniqit dhe Sali Dakajt më 7.4.2017 për shkak të parashkrimit absolut të ndjekjes penale e me siguri tanimë aktvendimi ka marrë formën e prerë, atëherë propozoj që në cilësinë e dëshmitarëve të merren Mexhid Krasniqi dhe Sali Dakaj”, propozoi avokati.

Propozim i cili u aprovua nga trupi gjykues.

“Trupi gjykues pas këshillimit merr këtë aktvendim me të cilin aprovon propozimin e mbrojtësit dhe në cilësinë e dëshmitarëve do të ftohen Mexhid Krasniqi dhe Sali Dakaj për shqyrtimin e radhës por vetëm pasi që Gjykata të vërtetojë se aktvendimi mbi hedhjen e aktakuzës kundër këtyre dy personave ka marrë formën e prerë”, tha kryetarja e trupit gjykues Nora Bllaca.

I akuzuari Avni Bajrami ngarkohet nga  ish-Prokuroria Komunale në Prishtinë se në cilësinë e personit zyrtar- inspektor komunal në Lipjan, më 15 mars 2011 me dashje ka kërkuar dhe ka marrë përfitime për vete – para në shumën prej 350 eurove nga Mexhid Krasniqi.

Këto para, sipas aktakuzës, ish-inspektori Bajrami i kishte marrë  për të mos ndërmarrë veprime që i takonin sipas postit që mbante për t’i ndaluar kamionët e ndërmarrjes N.P.N “Çlirimi” për ta hedhur dheun në lokacionin – pronë private në afërsi të kompanisë “Kosova Asfalt” në Lipjan.

Te akuzuar për këtë rast kanë qenë edhe Mexhid Krasniqi dhe Salih Dakaj por ndaj tyre u tha se është parashkruar lënda.

Ata po ashtu akuzoheshin se me 15 mars 2011 me dashje dhe në bashkëveprim me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm për ndërmarrjen N.P.N “Çlirimi” i kanë dhënë 350 euro ish-inspektorit që ky të mos i pengojë që ta hedhin dheun në pronën private në afërsi të “Kosova Asfaltit”.

Seanca e radhës u caktua të mbahet në fund të muajit qershor.

KALLXO.com ka raportuar edhe më parë nga ky rast gjyqësor.

http://kallxo.com/shume-mungesa-ne-gjykimin-e-ish-inspektorit/