Vazhdon Gjykimi i ish-Drejtorit të Bankës Ekonomike

Valon Lluka, ish-drejtor gjeneral i Bankës Ekonomike, dhe Memli Saraqini, menaxher i kësaj banke, akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

“Refuzohen kundërshtimet e provave dhe kërkesa për hedhjen e aktakuzës, sepse provat e paraqitura në aktakuzë janë marrë konform dispozitave ligjore dhe janë prova të pranueshme”, tha gjyqtarja Gërguri.

Paraprakisht, avokati Besnik Berisha parashtroi kërkesën për hedhje të aktakuzës me arsyetimin se ky rast nuk përbën figurën e veprës penale.

“Ne e kemi parashtru kundërshtimin dhe kërkesën për hedhjen e aktakuzës me faktin se nuk ka vepër penale sepse nuk ka shpërdorim të pozitës zyrtare, nuk ka tejkalim të përgjegjësive dhe nuk ka pasur asnjë përfitim të kundërligjshëm të asnjë dobie pasurore”, tha ai

Më tej, avokati Berisha shtoi se në çdo rast kur nuk ka palë të dëmtuar, kur nuk ka dëm të shkaktuar nga veprimi ose mosveprimi, ligji thotë se nuk ka vepër penale.

“Se qysh i ka dalë Prokurorisë vepra penale veç këta edhe Zoti e dinë”, tha Berisha.

E kërkesa e avokatit u kundërshtua nga prokurori i rastit, Armend Hamiti, i cili tha se të akuzuarit e kanë kryer veprën penale duke mos e paraqitur shumën e cila është dashur të jetë 500.000 euro.

“Pasi që kjo shumë e të hollave është fshehë dhe kjo e plotëson figurën e veprës penale. I kam lexuar pretendimet se më vonë është bërë kjo pagesë mirëpo elementet e veprës penale janë bërë në atë kohë kur është bërë fshehja e tyre”, tha Hamiti.

Sipas aktakuzës Valon Lluka në cilësinë e drejtorit të Bankës Ekonomike, e ka urdhëruar të akuzuarin Saraqini që në dobi të firmës “Kulla Exim” të lëshojë garancion bankar në vlerë prej 500.000 euro.

Në bazë të aktakuzës, të akuzuarit në regjistrin e kredive e kanë regjistruar garancionin bankar në vlerë prej 200.000 euro, ndërkaq shumën prej 300.000 euro e kanë fshehur.