Vazhdon Dhënia e Dëshmive në Rastin  “Medicus”

Eksperti i Mjekësisë Ligjore, Arsim Gërxhaliu si dhe dy rreshterë të Policisë, Xhavit Plakolli e Nexhmi Qyqalla pritet që të dëshmojnë sot në gjykimin për transplantimet e organeve që pretendohet se u bënë në klinikën “Medicus”.

Gjatë seancës së kaluar si dëshmitar ishte dëgjuar ish-sekretari permanent i Ministrisë së Shëndetësisë Ilir Rrecaj, i cili përgjatë dëshmisë së tij kishte treguar për kërkesën të cilën e kishte bërë klinika “Medicus” për tu licencuar në mënyrë që të kryente transplantim të organeve. Rrecaj ka treguar edhe  për hapat që më pas kishte ndërmarrë Ministria për të draftuar Ligjin i cili do të mund të lejonte transplantimin e organeve në Kosovë.

“Janë bërë përpjekjeje të draftohet, është bërë një draft dhe i është dërguar ministrit edhe klinikës “Medicus” që ka kërkuar në mënyrë që të iniciohet ligji, por edhe nga vetë ministri/kabineti është iniciuar shkuarja e një zyrtari ligjor dhe zyrtari për licencimin e institucioneve private në Bruksel të marrë pjesë në kursin i cili ofrohet për përpilimin e ligjeve për transplantim të bazuara në standardet e bashkimit evropian”, kishte deklaruar dëshmitari.

Lutfi Dervishi që ishte pronar i Klinikës “Medicus” në të cilën nga Prokuroria po pretendohet se u krye transplantim i veshkave, akuzohet për trafikim me qenie njerëzore dhe krim të organizuar, ndërsa Sokol Hajdini për lëndim të rëndë trupor.

Pjesë e këtij gjykimi ishte edhe Arban Dervishi, djali i Lutfi Dervishit, por procedura ndaj tij është veçuar, ngase ai ndodhet në arrati.

Urologu Lutfi Dervishi ishte dënuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë me 8 vjet burg në vitin 2013, ndërsa Sokol Hajdini me 3 vjet.

Gjykata e Apelit më pas ia kishte vërtetuar dënimin Dervishit, ndërsa Hajdinit ia kishte shtuar vitet e dënimit me burg nga 3 vjet në 5.