Vazhdon ‘Alergjia’ e Konkursit ‘Politik’ Në QKUK

Drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës (ShSKUK), Curr Gjocaj, është deklaruar se konkursi i fundit kontrovers në QKUK për mjekë nuk ka qenë nevojë e QKUK-së.

Duke u përgjigjur në ankesat e alergologes Valbona Gashi, Gjocaj tha për KALLXO.com se sidomos në alergologji nuk ka pasur nevojë për tre mjekë të tjerë.

“Në as një mënyrë nuk kishim nevojë për as edhe një alergolog kur e dimë se akoma nuk kemi hapësirë adekuate për këtë klinike të re me 6 mjekë specialistë dhe vetëm një infermier”, tha Gjocaj.

Por Drejtori i Klinikës së Alergologjisë, Dukagjin Zogaj, ka tjetër mendim.

“Edhe pse kërkesa për punësimin e 3 mjekëve alergologë nuk është inicuar nga Klinika jonë apo QKUK-ja, unë mendoj që në një të ardhme të afërt (me gjetjen e hapësirës adekuate) këta mjekë do të jenë mëse të nevojshëm”, tha Zogaj.

Ai tha se ende është duke u punuar në gjetjen e hapësirës adekuate për këtë Klinikë.

Gazeta Jeta në Kosovë ka raportuar se alergologia Valbona Gashi ka pakënaqësi për konkursin e fundit për mjekë në QKUK. Ajo kishte thënë se personat e pranuar në këto pozita janë në lidhje të ngushta me Ministrin e Shëndetësisë Imet Rrahmani, stafin e tij dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës, parti të cilës i takon vetë ministri.

Dyshimet për Ndërhyrje Politike Njollosin Punësimet në QKUK

Gashi ka bërë ankesë në komisionin për ankesa në QKUK dhe ky komision nuk i është përgjigjur asnjëherë.

“Kam bërë ankesë në komisionin për ankesa më 01.06.2016 dhe nuk kam marr asnjë përgjigje zyrtare” tha Gashi..

QKUK i ka thënë Gazetës Jeta në Kosovë se pas përfundimit të shqyrtimit të të gjitha ankesave të paraqitura në Komisionin e Ankesave në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), komisioni do të dalë me një qëndrim.

Por tani drejtori Gjocaj thotë së kjo çështje nuk i takon më institucionit pasi që ankesat edhe të mjekëve tjerë kandidatë për këto pozita kanë shkuar deri te Trupa Ekzekutive e Inspektoratit të Punës.

“Ju njoftoj se në këtë çështje shumë herët, në fazat fillestare të procesit ka ndërhyrë institucioni i Trupës Ekzekutive të Inspektoratit të Punës duke marrë gjithçka i duhet për procedurat e këtij konkursi. Prandaj në këto situata kur ndërhyn një trup më e lartë si rregull për shkallën më të ulët (në këtë rast institucioni ynë), vazhdimi i procedurave pothuajse bëhet i parëndësishëm (kjo pavarësisht probleme teknike të brendshëm që kemi pasur)”, tha Gjocaj.

Ndërkohë Gashi thotë se ajo tanimë do të merret vetëm me organet e drejtësisë vendore dhe ndërkombëtare.

“Planifikoj t’i njoftoj edhe ambasadat e shteteve më mike të Kosovës”, tha ajo duke shtuar se për këto padrejtësi është mirë të informohet çdokush.

Përderisa QKUK thotë se nuk kishte nevojë për këta mjekë, Ministria e Shëndetësisë nuk komenton duke e lënë përgjegjësinë te QKUK pasi që thotë se ata e kanë hapur konkursin.

“Meqenëse është fjala për një konkurs që nuk është hapur dhe zhvilluar nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë, ju lutemi që pyetjet e adresuara në MSh, t’i drejtoni tek autoritetit i cili ka hapur dhe zhvilluar procedurat e konkursit të cilit i referoheni” ishte përgjigja e Ministrisë së Shëndetësisë.

Gazeta Jeta në Kosovë në vazhdimësi ka raportuar për këtë konkurs

Shtohen Kundërshtitë Ndaj Konkursit ‘Politik’ në QKUK