Pallati i Drejtësisë - Foto: KALLXO.com

Vatovci: Nuk do ta Lejoja Pasurimin në Dëm Të Policisë

Në gjykimin ku akuzohet për keqpërdorim detyre, ish-zyrtarja e prokurimit në Policinë e Kosovës Xhevahire Vatovci deklaroi se është e pafajshme.

“Unë mendoj se asnjë nga anëtarët e komisionit nuk kemi bërë asnjë faj pasi që ne e kemi kryer detyrën tonë e cila na është dhënë dhe përgjegjësia jonë ka qenë deri në nënshkrimin e kontratës”, tha Vatovci.

Vatovci akuzohet në lidhje me një tender të derivateve për Policinë e Kosovës të cilin e kishte fituar kompania “HIB Petrol”, ndërsa me të prokuroria pretendon se i është shkaktuar dëm buxhetit të policisë.

Por në gjykatë Vatovci mohoi se do të sugjeronte nënshkrimin e kontratës me dikë që do ta dëmtonte policinë.

”Me përgjegjësi të plotë theksoj se asnjë operatori ekonomik nuk do t’ia kisha lejuar që të pasurohet në dëm të Policisë së Kosovës as për 20 centë”, tha Xhevahire Vatovci.

Në cilësinë e dëshmitarëve u dëgjuan Fatmir Plakiqi dhe Fadil Rexhepi, të cilët kishin qenë anëtarë të komisionit të vlerësimit rreth këtij tenderi.

Fatmir Plakiqi tha se kriteri kryesor bazë për vlerësim të tenderit ka qenë çmimi i produktit të litrës të derivateve, andaj sipas tij operatori që ka ofruar preminë-çmimin më të ulët është konsideruar edhe fituesi i tenderit.

Plakiqi deklaroi se Xhevahire Vatovci nuk ka kryer keqpërdorim detyre.

“Në asnjë mënyrë Xhevahire Vatovci nuk mendoj që e ka keqpërdorur detyrën e saj, përkundrazi ne e kemi përzgjedhur së bashku ofertën me të mirë dhe me të lirë, aty ka qenë i përfshirë edhe çmimi i transportit në bazë të tarifave të doganës”, deklaroi Fatmir Plakiqi.

Po ashtu edhe dëshmitari tjetër Fadil Rexhepi i tha trupit gjykues se ai mendon që “HIB-Petroli” ka qenë operatori më i lirë në krahasim me operatorët e tjerë.

Rexhepi tha se në lidhje me atë se kujt t’i jepet tenderi nuk ka mundur të vendosë një njeri.

”Në mënyrë absolute nuk ka mundur që vetëm një njeri të vendosë, ne si anëtarë të komisionit kemi vendosur të gjithë së bashku për këtë operator ekonomik për shkak se kishte çmimin më të ulët”, tha dëshmitari Rexhepi.

Seanca e radhës u caktua më 24 prill, ndërsa në të pritet të jepet fjala përfundimtare.

Ish-Prokuroria e Qarkut në Prishtinë më datën 17 tetor 2011 ka ngritur aktakuzë ndaj Xhevahire Vatovcit duke e akuzuar se në cilësinë e zyrtares së Zyrës së Prokurimit në Policinë e Kosovës dhe si kryetare e komisionit për vlerësim, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm për ndërmarrjen private “HIB Petrol” SH.P.K. nga Ferizaj ka shpërdorur pozitën zyrtare dhe ka tejkaluar autorizimet zyrtare duke vepruar në kundërshtim me Ligjin për Prokurimin Publik në Kosovë.

Sipas aktakuzës, “HIB Petroll” SH.P.K në bazë të derivateve të shpenzuara gjatë periudhës 06 prill 2009 deri 31 dhjetor 2010 ka përfituar shumën prej 280.370,91 euro, shumë kjo me të cilën ka dëmtuar buxhetin e Policisë së Kosovës.

KALLXO.com e ka ndjekur edhe më herët këtë proces gjyqësor.

http://kallxo.com/takimi-eulex-shtyn-seancen-per-ish-zyrtaren-e-prokurimit-te-policise/

http://kallxo.com/pjesetari-policise-deshmon-ne-gjykimin-e-ish-koleges/

Ndaj Xhevahire Vatovcit edhe më herët ishte ngritur një aktakuzë në lidhje me një tender për armë, ku pas afatit dyvjeçar ishte marrë një vendim nga gjykata për hedhje poshtë të aktakuzës dhe pushimin e procedurës penale ndaj të akuzuarve për atë rast.

http://kallxo.com/te-pafajshem-te-akuzuarit-per-aferen-e-armeve-te-policise/