Ceremonia e varrimit të policit Armend Trena - Foto: KALLXO.com

Varrimi i policit pa praninë e krerëve të shtetit

Polici Armend Trena është varrosur sot në vendlindjen e tij, në Begracë të Kaçanikut, dhjetë ditë pasi humbi jetën në ujërat e lumit Lepenc, ku me veturën zyrtare dhe bashkë me kolegun e tij, Malsor Dashi, ranë natën e 28 prillit.

Trena u varros me nderime të larta dhe me lavdërime për përkushtimin e tij ndaj detyrës dhe atdheut.

Megjithatë, në ceremoninë e varrimit të tij nuk ishte asnjëri nga drejtuesit e tri institucioneve kryesore shtetërore: Presidenca, Qeveria dhe Kuvendi.

Për dallim nga varrimi i Armend Trenës, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, kishte marrë pjesë në varrimin e policit Malsor Dashi, trupi i të cilit ishte gjetur po ashtu në ujërat e Lepencit.

Në ceremoninë e varrimit të Armend Trenës nuk ishte i pranishëm as ministri i Punëve të Brendshme, Bejtush Gashi, i cili familjes, miqve e kolegëve të policit u kishte dërguar një telegram ngushëllimi.

Zyrtari më i lartë që mori pjesë në varrimin e Trenës ishte ushtruesi i detyrës i drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Naim Rexha, dhe nënkryetari i Komunës së Kaçanikut dhe kryetari i Hanit të Elezit.

Krerët e shtetit, as ministri i Brendshëm, nuk kanë dhënë ndonjë shpjegim për mungesën e tyre në ceremoninë e sotme mortore.

KALLXO.com transmetoi LIVE varrimin e policit Armend Trena.