Një grua mban pankartën “Mbro veten nga dhuna në familje” në manifestimin “Unë jam Supergrua” në Ditën Ndërkombëtare të Grave. 8 mars 2017. Foto: Loreta Cuka via BIRN.

Varfëria Shton Dhunën dhe Divorcet në Zonat Rurale të Lezhës

Valentina Mexhiri, 36-vjeçare nga Lezha iu drejtua gjykatës për divorc pas 13 vitesh martesë, të cilat ajo i përshkruan si të mbushura me vuajtje për shkak të dhunës fizike dhe psikologjike. Mexhiri i tha BIRN se priti gjatë që gjërat në familjen e saj të ndryshonin dhe kur kjo nuk ndodhi, u detyrua të bënte padi për zgjidhje martese.

“Për 13 vite kam vuajtur shumë, kishim debate të vazhdueshme për gjëra krejt banale. Mendova që kur filluan të rriteshin fëmijët gjërat do ndryshoshin, por asgjë nuk ndryshoi. Në këto kushte në vendosa të ndahesha nga burri,” tha 36-vjeçarja.

Pas divorcit që zgjati një vit, Valentina Mexhiri krijoi një familje të re në një tjetër martese në qytetin e Mamurrasit dhe prej një viti është bërë nënë për herë të tretë. Por ndonëse jeta e saj ka ndryshuar pozitivisht, ajo i tha BIRN se vazhdon të ketë probleme pasi ish-bashkëshorti dhe familjarët e tij nuk e lejojnë të takojë fëmijët, të cilët janë sot 12 dhe 14 vjeç.

“Ka të paktën 6 muaj që unë s’i kam takuar fëmijët. Gjykata më ka dhënë të drejtë, por në shumë raste familja e ish- burrit dhe ai vetë s’më lejojnë t’i takoj,” tha Mexhiri për BIRN.

Gruaja tregon se ka shkuar disa herë në shkollë, pa mundur t’i takojë fëmijët nga martesa e parë dhe kërkon ndërhyrjen e institucioneve për zgjidhje. “Jam shumë e mërzitur se ata janë fëmijët e mi dhe kërkoj që policia të ndërhyjë për të më dhënë zgjidhje,” thotë Mexhiri.

Valentina Mexhiri është vetëm njëra prej dhjetra grave në qarkun e Lezhës pasi vuajti pasojat e një martese problematike, po përballet sërish me pasojat e divorcit. Të dhënat zyrtare të Gjykatës së Lezhës tregojnë rritje nga viti në vit të numrit të divorceve dhe kërkesave për urdhra mbrojtjeje. Gjatë viti 2016, sipas Gjykatës së Lezhës ka pasur 257 padi për zgjidhje martese, 201 prej të cilave kanë përfunduar, ndërsa 57 të tjera janë ende në proces. Ndërsa vetëm në 6 mujorin e parë të vitit 2017, në këtë gjykatë janë regjistruar 199 padi për zgjidhje martese.

Psikologu Ndue Dragusha i tha BIRN se zonat rurale janë më të prekura nga ky fenomen, ndërsa rendit si shkak të parë për rritjen e divorceve gjendjen e vështirë ekonomike.

“Gjendja e vështirë ekonomike që po kalojnë shumë familje, kryesisht në fshatra është shkaku kryesor i divorceve. Ky problem është më i theksuar në fshatra, pasi në zonat rurale varfëria është më e madhe,” tha Dragusha.

Psikologu argumenton gjithashtu se situata e vështirë që shumë familje po kalojnë nxit fillimisht dhunën, ç’ka bëhet më së shumti shkak për divorc. Të dhënat e Gjykatës së Lezhës e konfirmojnë mendimin e psikologut Dragusha. Gjatë vitit 2016, 128 persona-më së shumti gra kërkuan urdhra mbrojtjeje në gjykatë, ndërsa në 6-mujorin e parë të 2017-s kjo shifër ra në 44.

I pyetur nga BIRN për kategoritë që kërkojnë urdhra mbrojtjeje, një zyrtar i Gjykatës tha se “personat e divorcuar që kërkojnë urdhra mbrojtjeje janë kryesisht nga zonat rurale”. Të dhënat tregojnë gjithashtu se lëvizjet demografike, veçanërisht në familjet e zbritura në qarkun e Lezhës nga zonat verilindore e kanë thelluar problematikën e dhunës brenda familjes.

Psikologu Ndue Dragusha u bie këmbanave të alarmit për rritjen e numrit të grave në zonë që vuajnë nga fenomeni i dhunës.

“Sjella antisociale ndaj gruas është shtuar gjatë viteve të fundit,” përfundon ai.