Mozaiku i Kosovës 2015 | Foto: KALLXO.com

Varfëria Problem Kryesor në Kosovë

Me këtë mozaik vlerësohen perceptimet e qytetarëve për shërbimet publike dhe autoritetet lokale në Kosovë.

Sipas këtij mozaiku, të dhënat e mbledhura nga anketuesit tregojnë që mungesa e zhvillimit ekonomik dhe pasojat e tij, dominojnë listën e problemeve për vitin 2015.

Zëvendëspërfaqësuesja e UNDP-së Alessandra Roccasalvo tha që numri i madh i qytetarëve të cilët problem kryesor kanë varfërinë, është për t’u brengosur.

“75 për qind të kosovarëve thonë që varfëria është sfida më e madhe me të cilën ata ballafaqohen. Kjo është mjaft brengosëse,” tha ajo.

Zëvendësdrejtori i misionit të USAID-it Mike de la Rosa tha që ky raport u shërben komunave që t’i dinë problemet e qytetarëve.

“Sondazhi mozaik është vegël shumë e mirë për të bërë plane me të mira për të përmirësuar jetën e qytetarëve,” tha De La Rosa.

Zëvendësministri i Administratës dhe Pushtetit Lokal Gjergj Dedaj tha se nga raporti del që komunat duhet të angazhohen më tepër në raport me qytetarët.

“Ky raport mund të jetë inkurajues mirëpo edhe sinjal që komunat duhet të përpiqen më shumë për ofrimin e shërbimeve më të mira për qytetarë,” tha Dedaj.

Sipas konsulentes së UNDP-së, Erblina Beqaj, ka pasur rënie dhe ngritje të kënaqësisë së qytetarëve për ofrimin e shërbimeve komunale.

“Sipas këtij mozaiku, niveli mesatar i kënaqshmërisë me të gjitha shërbimet publike ka pësuar rënie të lehtë nga viti 2012 në vitin 2015. Krahasuar me vitin 2012 niveli i kënaqshmërisë ka pësuar rënien më të madhe për rekrutimin e shërbyesve civilë, transportin publik dhe planifikimin rural e urban,” tha ajo.

Sipas raportit, rritjet më të mëdha në nivelin e kënaqshmërisë janë vërejtur për furnizimin me energji elektrike, aktivitetet sportive dhe trotuaret.

Ky mozaik i cili paraqet pikëpamjet e 6.700 qytetarëve është raporti i pestë me radhë i UNDP-së, USAID-it dhe MAPL-së.