Valdete Daka pas dorëzimit të ankesës në Gjykatën Kushtetuese | Foto: KALLXO.com

Valdete Daka Ankohet në Kushtetuese

Kryetarja e Komisionit Qendror Zgjedhor Valdete Daka sot deponoi ankesë në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës lidhur me zgjedhjen e Kryetarit të Gjykatës Supreme.

Me 6 mars të këtij viti, kryetar i Gjykatës Supreme të Kosovës u zgjodh Enver Peci, me 6 vota pro dhe 4 abstenime.

Por një gjë të tillë nuk e pranon kandidatja tjetër për këtë post. Valdete Daka që pasi dorëzoi ankesën e saj tha se numërimi i votave u bë në formë të gabuar.

“Këshilli Gjyqësor gjatë numërimit të votave gabimisht ka apliku këtë rregullore dhe ka numëruar edhe votat të cilat kanë qenë abstenime… 5 vota i kam pasur pro, 1 kundër dhe 4 abstenime dhe konsideroj që e kam pasur shumicën absolute të votave”, tha Daka.

Ajo më tutje tregoi se “në momentin që fiton i pari me vota, nuk shkohet as me të dytin dhe as me të tretin kandidat”.

Daka konsideroi se asaj i është mohuar e drejta e përcaktuar me kushtetutë për të zgjedhur dhe për të qenë e zgjedhur.

“Unë konsideroj që kam qenë fituese dhe se emri më është dashur të dërgohet te Presidenti i Republikës së Kosovës për dekretim”, tha Daka.

Kryetarja aktuale e KQZ-së deklaroi se pret që Gjykata Kushtetuese të vërtetojë shkeljet që ajo pretendon se janë bërë në rastin e zgjedhjes së kryetarit të Gjykatës Supreme.

Valdete Dakës në qershor të këtij viti i përfundon mandati në krye të KQZ-së.