Rudina Hajdari. Foto: PD

Vajza e Azem Hajdarit Kthehet në Partinë që e Themeloi Babai i Vrarë

Rudina Hajdari, vajza e të ndjerit Azem Hajdari, një lider i lëvizjes studentore shqiptare që përmbysi regjimin komunist në vitin 1990, dhe bashkë-themelues i Partisë Demokratike, ka zëvendësuar ëndrrën e saj amerikane me një shqiptare.

Ajo vendosi të largohet nga SHBA-ja, pasi që jetoi atje për 17 vjet dhe të ndjekë hapat e babait të saj duke u përfshirë në politikë në vendin e saj të lindjes.

Në ditët e fundit, Hajdari është parë me Lulzim Bashën, kreun e tanishëm të Partisë Demokratike, duke mbajtur takime me vendasit dhe të rinjtë në Tiranë.

“Unë kam shumë arsye që të kthehem, dhe shpresoj që me vendosmërinë dhe pasionin për këtë vend do të mund të kontribuoj sa më shumë që mundem për të mirën e të gjithëve”, tha Hajdari në një intervistë për BIRN.

“Babai im Azem Hajdari ka jetuar këtu, familja ime ende jeton këtu, dhe unë dua që edhe fëmijët e mi të jetojnë këtu”, shtoi ajo.

Babai i Rudinës ishte një nga bashkë-themeluesit e PD-së në dhjetor të vitit 1990 – Partia e parë jo-komuniste e Shqipërisë që u krijua pas më shumë se katër dekadave të sundimit autoritar.

PD erdhi në pushtet për herë të parë në mars të vitit 1992 dhe qeverisi deri në vitin 1997 nën udhëheqjen e Sali Berishës.

Azem Hajdari u bë një nga simbolet e demokratizimit të Shqipërisë, dhe filloi të marrë kërcënime me vdekje, pasi ai u bë i rëndësishëm gjatë përmbysjes së komunistëve.

Ai u vra së bashku me një nga truprojat e tij përballë zyrës së PD-së në Tiranë në shtator të vitit 1998, në kohën kur ishte duke shërbyer si një prej deputetëve të partisë. Pesë persona u shpallën fajtorë për vrasjen e tij në vitin 2002, por motivet e tyre kanë mbetur të paqarta.

PD këmbënguli se vrasja ishte e motivuar politikisht, pasi vrasësi Fatmir Haklaj ishte i njohur si një mbështetës të Partisë Socialiste në rajonin verior të Tropojës, prej nga ishte edhe Hajdari. Por socialistët e mohuan me forcë çdo lidhje me vrasjen.

Haklaj nuk jetoi për t’u gjykuar për vrasjen, pasi edhe ai u vra në Tropojë në vitin 1999.

Rudina Hajdari u largua nga Shqipëria në vitin 2000 mes presionit në rritje mbi familjen pas vrasjes së babait të saj.

Në vitin 2005, PD erdhi në pushtet edhe një herë duke përdorur retorikë të fortë kundër korrupsionit me Berishën në pozitën e kryeministrit. Megjithatë, gjatë tetë viteve të qëndrimit të tij, disa nga ministrat e tij janë akuzuar gjithashtu për korrupsion.

Në qershor të vitit 2013, pasi u mund në zgjedhje nga lideri socialist, Edi Rama, Berisha dha dorëheqje si kryetar i partisë dhe Lulzim Basha u zgjodh në vend të tij. Megjithatë, shumë besojnë se ndikimi i Berishës në pasardhësin e tij është i fortë.

Përveç sfidave të zakonshme të paraqitura në skenën politike shqiptare, Hajdari do të duhet të përballet edhe me problemin e imazhit të prishur të PD-së.

Berisha shpesh është akuzuar për autoritarizëm, derisa ishte në detyrë, pasi Rama ka erdhur në pushtet.

Por Hajdari, angazhimi i të cilës me partinë është e mundshme ta rrisë imazhin e PD-së përpara zgjedhjeve të përgjithshme në qershor, ka kërkuar të mbrojë administratën e PD-së të drejtuar nga Berisha.

“Unë nuk mendoj se kjo ishte një qeveri e keqe pasi shumë gjëra të rëndësishme janë arritur pikërisht gjatë kësaj periudhe. Megjithatë, korrupsioni është një problem serioz në Shqipëri dhe në vendet përreth dhe ky trend po vazhdon dhe ka nevojë të ndalet”, tha ajo.

“Kjo është toksike për përpjekjet e atyre që janë duke provuar për të zhvilluar një demokraci të shëndetshme”, shtoi ajo.

Hajdari tha se megjithatë vendlindja e saj ka ndryshuar shumë gjatë mungesës së saj 17 vjeçare.

“Tani Shqipëria është anëtare e NATO-s, njerëzve u lejohet të udhëtojnë lirshëm nëpër Europë pa viza, dhe Shqipëria është kandidate për anëtarësim në BE”, tha ajo.

Por, që Shqipëria të bëjë gjithçka që mundet, të rinjtë duhet të sigurohen që vendi po lëviz në drejtimin e duhur, thotë ajo, duke shtuar se ka ardhur koha për të shfrytëzuar entuziazmin e mishëruar nga lëvizja rinore e viteve 1990.

“Me të njëjtin vetë-besim dhe besim, ne mund ta rindërtojmë besimin në qeveri dhe të imagjinojmë shpresa dhe zgjidhje për një të ardhme të mirë”, tha ajo.

Me gjithë ndryshimet dhe arritjet gjatë dy dekadave të fundit, vendi dhe sistemi i saj politik ende përballen me sfida të njohura: marrje ryshfeti, liderë autoritarë dhe qeveritë jo-transparente.

Këto janë çështje që Hajdari beson se mund të ndihmojë për t’i trajtuar.

“Të jetosh në demokracinë më të madhe në botë më ka dhënë një ndjenjë të vërtetë të asaj se çka do të thotë të jesh në një shoqëri që është e lirë dhe e ndershme, duke pasur të drejta, duke respektuar të tjerët, dhe duke mbrojtur interesat e vendit tënd”, tha ajo.

“Babai im besonte dhe i mendonte të gjitha këto vlera, pa i shkelur këmba në SHBA. Ai i ndjente këto gjëra në mungesë të tyre”, shtoi ajo.

Ajo tha se ishte e hapur për të pasur ndonjë rol brenda PD-së, por theksoi se politika e jashtme ishte pika e saj e fortë pasi ajo ka punuar si bashkëpunëtore e stafit për Komitetin për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve në SHBA për disa vjet.

“Unë kam një formim në politikën e jashtme dhe të shpresojmë se, me përvojën time, unë mund t’i shërbej më tej vizionit të Partisë Demokratike”, tha ajo.