Ndërtesa e Komunës së Pejës, 04 Qershor 2015. Foto: Atdhe Mulla.

Uzurpimet nxisin polemika në komunën e Pejës

Asambleja komunale e Pejës ka mbajtur sot seancë të jashtëzakonshme për të diskutuar për uzurpimin e hapësirës publike në qendër të qytetit.

Ky debat për uzurpimin e hapësirave publike në qendër të qytetit ishte iniciuar nga dy asambleistë komunalë të cilët morën mbështetjen edhe të 19 asamblistëve tjerë për mbajtjen e seancës se jashtëzakonshme.

Njëri nga iniciatorët e këtij debati, asamblisti Reshat Nurboja nga Alternativa, prezantoi para këshilltarëve disa hapësira publike të cilat, sipas tij, janë të uzurpuara jashtëligjshëm.

Ai tha se uzurpimi i hapësirës publike në qendër të qytetit po pengon lëvizjen e lirë të qytetarëve.

Nurboja tha se kjo dukuri negative po vazhdon nga paslufta në qytetin e Pejës, nga persona të afërt me pushtetarët.

“Me ketë gjendje me ketë fenomen me uzurpimin e pronave publike nga individë të caktuar që janë të përafërt me pushtetin, ose që kanë ndikim financiar. Prapë po them, mos e kufizoni vetëm pushtetin aktual, po prej vitit 2000 e deri tash”, tha Nurboja.

Ardian Berisha që foli në emër të grupit të këshilltarëve komunalë nga AAK-ja, tha se është e papranueshme që sheshi “Shkelzen Haradinaj” të shndërrohet në parking të një hoteli.

“Është e papranueshme që një shesh që mban emrin “Shkelzen Haradinaj”, dëshmor i kombit, dhe pllakës me dhjetëra emra të dëshmorëve të Pejës që u shkruan me gjakun e lirisë, të bëhet parking i një hoteli, e që shëmton ketë shesh”, tha ai.

Asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Bashkim Lajçi, tha se duhet shikuar se çfarë veprime duhet ndërmarrë për parandalimin e uzurpimeve të hapësirave publike, dhe kthimin e atyre pronave të uzurpuara.

Në anën tjetër, kreu i komunës se Pejës, Gazmend Muhaxheri, tha se e gjithë tema po bëhet për vendosjen e laurës në hyrje të sheshit pranë hotelit “Dukagjini”.

Sipas tij, pushteti i mëparshëm i drejtuar nga AAK e kishte lëshuar vendimin për shfrytëzimin e parkingjeve nga hoteli.

“Është kryetari yt, partia jote që ke qënë në që që ka ba kontratë për shfrytëzimin e parkingjeve, është valide edhe sot. Çka ka ndodhur këtu, përveç që se keni rojën që rrin në këmbë edhe bën pagesën, është vendosë një pagesë elektronike. Domethënë krejt kjo zhurmë, krejt ky hetim për çka? Veç se paska avancuar se s’është një njeri që merr paret në dorë, po duhet me kry me tiketë”, tha Muhaxheri.

Ai theksoi se me realizimin e dhjetëra shesheve në komunën e Pejës po lirohen edhe hapësirat publike dhe po largohen uzurpatorët.

Në fund të seancës u nxorën dy konkluzione ku ndër të tjerat kërkohet nga drejtorit përkatëse të komunës evidentimin e pronave të uzurpuara në Pejë.