Ushtruesja e Detyrës së Kryetares së Supremes në Konflikt Interesi?

Në mbledhjen e mbajtur më 28 mars të këtij viti, Këshilli Gjyqësor i Kosovës vendosi që duke pas parasysh rrethanat e krijuara në procesin e zgjedhjes së kryetarit të Supremes, ta caktojë Sylejmanin si Ushtruese e Detyrës së Kryetares së Supremes, megjithatë, ajo përpos pozitës së gjyqtares në Gjykaten Supreme, mban edhe pozitën e anëtares së Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa-PZAP.

PZAP është organ  që vendos lidhur me ankesat që bëhen gjatë procesit zgjedhor në Kosovës nga subjektet politike por edhe qytetarët e Kosovës.

Palët e pakënaqura me vendimet e PZAP-së, mund t’i drejtohen me ankesë Gjykatës Supreme të Kosovës, që në këtë rast shërben si instancë e dytë e drejtësisë.

Pra këto dy pozita të gjyqtares Sylejmani mund të sjellin një situatë ku ajo ka vendosur për një ankesë në PZAP dhe pastaj ai rast do të drejtohet në Gjykatën Supreme të Kosovës, ku Sylejmani mban pozitën e gjyqtares por tani edhe ushtrueses së detyrës së kryetares.

Aishe Qorraj, zyrtare për informim e KGjK-së tha për KALLXO.com se ky emërim është bërë në përputhje me rregulloren për organizmin e brendshëm të gjykatave.

“Bazuar në nenin 5 paragrafi 2 i Rregullores mbi Organizmin e Brendshëm të Gjykatave, i cili thekson ,,Nënkryetari i gjykatës ndihmon në menaxhimin e gjykatës dhe në mungesë të kryeartit të gjykatës i njëjti shërben si ushtrues i detyrës së kryetarit të gjykatës”,  çka do të thotë se, çdo herë në mungesë të Kryetarit të Gjykatës zëvendësi ushtron detyrën e Kryetarit”, thuhet në përgjigjen e dërguar nga KGjK për KALLXO.com.

Përpos që i janë referuar bazës ligjore në bazë të së cilës Sylejmani është caktuar në pozitën e ushtrueses së detyrës së kryetares së Gjykatës Supemre, KGjK nuk janë përgjigjur nëse ka konflikt të interesit në këtë rast apo jo.

Lidhur me këtë rast KALLXO.com ka kontaktuar edhe me gjyqtaren Sylejmani. Ajo ka thënë se pozita që i është caktuar nuk ka qenë synim i saj ndërsa ka thënë se shpreson që procesi i zgjedhjes së kryetarit të Supremes të përfundojë së shpejti.

Gyltene Sylejmani, ushtruese e detyrës së kryetares së Gjykatës Supreme.

“Të shikojmë deri në muajin maj se çfarë do të bëhet dhe shpresoj që kjo çështje do të rregullohet. Nuk po ma merr mendja që edhe nëse mbahen zgjedhje kish me pasë ndonjë konflikt të interesit por të shpresojmë që deri në muajin maj të përfundojë kjo çështje. Caktimi im në atë pozitë nuk është bërë me dëshirën time dhe nuk ka qenë synim imi dhe nuk është kënaqësi të jesh në karrigen e dikujt tjetër”, tha Sylejmani.

KALLXO.com do t’i drejtohet edhe Agjensionit Kundër Korrupsion për të kërkuar opinion nëse kemi në këtë situatë kemi të bëjmë me konflikt të interesit apo jo.

Enver Peci u votua si kryetar i Gjykatës Supreme të Kosovës më 6 mars të këtij viti nga KGjK, por nuk është dekretuar ende nga Presidenti pasi që procesi është pezulluar për shkak të ankesës së  kundërkandidates së Pecit, gjyqtares Valdete Daka e cila i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese duke pretenduar se numërimi i votave ka qenë gabim në dëm të saj.

Gjykata Kushtetuese njoftoi më 28 mars se ka pezulluar procesin deri në vendosjen përfundimtare të çështjes.

http://kallxo.com/gjykata-kushtetuese-ngrin-enver-pecin/

http://kallxo.com/enver-peci-zgjidhet-kryetar-gjykates-supreme/