Ushtarë shqiptarë gjatë një stërvitjeje. Foto: Ministria e Mbrojtjes

Ushtarët Shqiptarë në Luftën Kundër ISIS-it

Trupat shqiptare do të shkojnë në Irak edhe një herë, nëntë vjet pas operacionit të fundit të tyre atje, si pjesë e operacioneve globale vullnetarë anti-ISIS në përgjigje të një kërkese të qeverisë amerikane.

Nisma u njoftua të hënën nga Ministrja Shqiptare e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, gjatë një seance me një komision parlamentar.

“Ne do ta sjellim në parlament së shpejti një projekt-ligj për të hapur rrugën për praninë e ushtarëve (shqiptarë) në koalicionin botëror kundër ISIS,” tha ajo.

Projektligji pritet të dërgohet në parlament në dy javët e ardhshme me detajet e numrit e saktë të ushtarëve që do të vendosen në Irak dhe se si ata do të ndihmojnë në luftën kundër ISIS. Në projekt-ligj do të detajohet gjiashtu se çka do të bëjnë ushtarët shqiptarë në tokën e Irakut.

“Ky nuk është një mision i NATO-s dhe ka nevojë për një ligj të veçantë. Ne po flasim për një mision vullnetar në të cilën Shqipëria ka ndihmuar tashmë në mënyra të ndryshme, por jo me një prani ushtarake”, shpjegoi Kodheli në komision.

Shqipëria ishte një nga vendet e para që u bashkua me aleancën botërore kundër Daesh/ISIS që u formua në shtator të vitit 2014. I udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, koalicioni numëron 68 shtete pjesëmarrëse.

Përveç fushatës ushtarake në Irak dhe Siri, koalicioni është përkushtuar në goditjen e financimit dhe infrastrukturës ekonomike të ISIS-it, duke parandaluar rrjedhjen e luftëtarëve të huaj terroristë përtej kufijve, si dhe duke mbështetur restaurimin e shërbimeve publike për zonat e çliruara nga sundimi i ISIS-it. Koalicioni gjithashtu është duke luftuar propagandën narrative të ISIS-it.

Si pjesë e koalicionit, në vitin 2014 Shqipëria dhuroi katër transhe të armëve dhe municioneve për forcat kurde Peshmerga në Irakun verior për ta mbështetur luftën e tyre kundër ISIS.