Salla e gjykimit në Ferizaj

USAID-i Ua Shton Gjykatave 15 Gjyqtarë

Për t’u bërë ky zvogëlim u nënshkrua sot memorandum bashkëpunimi mes USAID-it, Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe tri gjykatave themelore.

USAID-i mundësoi që gjykatave në Prishtinë, Mitrovicë, Gjakovë e Ferizaj t’u shtohen edhe 15 gjyqtarë.

Memorandumi, përveç pakësimit të numrit të lëndëve, ka për qëllim edhe integrimin e veriut të vendit në sistemin gjyqësor kosovar.

Drejtori i USAID-it në Kosovë, James Hope tha se ShBA-ja në Kosovë ka prioritet forcimin e sundimit të ligjit duke përfshirë edhe luftën kundër korrupsionit.

“Këta 15 gjyqtarë që janë angazhuar do të ndihmojnë në zvogëlimin e numrit të lëndëve, e kjo do të ndikojë në besueshmërinë e qytetarëve,” tha Hope.

Njëri nga tetë kriteret e fundit të Komisionit Evropian për liberalizim vizash ishte edhe bartja e një numri të gjyqtarëve në Departamentin e Krimeve të Rënda.

http://kallxo.com/demarkacioni-kusht-per-heqjen-e-vizave/

Hope më tutje tha se mbështetja e sektorit të drejtësisë është thelbësore, meqë përmirësohet edhe klima për investitorët e huaj.

“E gjithë kjo ka të bëjë me demokracinë, por po ashtu kjo lidhet edhe me ekonominë, sepse duke respektuar ligjet krijohet transparencë, e kjo do të ndikojë që të vijnë edhe investitorët e rinj,” vazhdoi Hope.

Kurse, Nehat Idrizi nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, tha se prioritet i këtij këshilli është reduktimi i lëndëve të vjetra të grumbulluara dhe funksionalizimi i sistemit të drejtësisë në veri të Mitrovicës.

Idrizi tha se programi i USAID-it do të ndihmojë rritjen e efektshmërisë së gjykatave dhe shtimin e besimit në sistemin gjyqësor të vendit.

“Përmes reduktimit të lëndëve dhe duke mos i lënë që të grumbullohen, do të rritet efikasiteti, e edhe besueshmëria e qytetarëve,” tha Idrizi.

Këta gjyqtarë, sipas Idrizit, do të ndihmojnë posaçërisht në Gjykatën Themelore të Prishtinës dhe të Mitrovicës. Në Prishtinë për shkak të grumbullimit të madh të lëndëve, sepse rajoni është më i madh.