Urdhër-Arrest për Albin Kurtin, Gjobë për Kadri Veselin

Pasi Albin Kurti, njëri nga katër deputetët e “Vetëvendosjes” të akuzuar për aktivizim të gazit lotsjellës në seancat e Kuvendit nuk ishte i pranishëm në gjykatë, gjyqtari Beqir Kalludra paralajmëroi se do të merren masa për këtë çështje.

Gjyqtari Kalludra tha në seancë se për të siguruar praninë e Albin Kurtit në gjykatë do të lëshojë urdhërarrest dhe do t’ia caktojë atij paraburgimin.

Në seancë gjithashtu përpos Albin Kurtit mungoi edhe prokurororja Fikrije Fejzullahu-Krasniqi, për mungesën e së cilës gjyqtari Kalludra tha se do të njoftojë kryeprokurorin.

“Për mungesën e prokurores së shtetit do të informohet kryeprokurori I shtetit, kundër të akuzuarit Albin Kurti do të lëshoj urdhër arrest dhe të njëjtit do t’i caktohet paraburgimit konform dispozitave të Kodit të Procedurës Penale”, tha Kalludra.

Gjyqtari Kalludra i gjobiti edhe të dëmtuarit-dëshmitarët që nuk u paraqitën në gjykatë për të dëshmuar.

“Kundër të gjithë dëshmitarëve të cilët nuk janë prezentë dhe mungesën nuk e kanë arsyetuar, Naser Osmani, Armend Zemaj, Bekim Haxhiu, Xhavit Haliti, Kadri Veseli, Shpresa Gosalci dhe Leonora Halimaj secilit do t’’i shqiptohet gjoba prej 200 eurove”, tha Kalludra.

Ndaj këtij vendimi reaguan deputetet e akuzuara, Albulena Haxhiu dhe Donika Kadaj-Bujupi.

“200 euro si kanë problem, ata i kanë milionat. Lësho urdhër-arrest për të gjithë e jo vetëm për Albinin”, tha Kadaj-Bujupi.

Sipas aktakuzës, Albin Kurti, Donika Kadaj-Bujupi, Albulena Haxhiu e Faton Topalli akuzohen për përdorim të armës ose mjetit të rrezikshëm dhe pengim të personit zyrtar në kryerje të detyrës zyrtare.