Ura e Premtimeve

Në dhjetor të vitit 2013, kryetari aktual i Komunës së Kamenicës kishte premtuar në debatin “Jeta në Komunë” se do ta ndërtojë këtë urë, por kanë kaluar 3 vjet dhe ura nuk ka filluar të ndërtohet.

Bunjan Morina banor i kësaj ane thotë për KALLXO.com që premtimet e dhëna s’po realizohen nga kryetari Sinani.

“Po doket kjo premtime si gjithë, por e di që tash më duket është bërë një projekt dhe i kanë nda disa pare, por ende punime nuk ka,” thotë Morina.

Fshatin Topanicë që ka 2500 banorë, e përcjell që dhjetëra vite problematika e një ure që përdoret për hyrje dhe dalje nga ky fshat.

Ura e ngushtë shkakton mërzi te vozitësit e veturave, pasi për të kaluar atë gjithmonë duhet njëra palë të presë, pasi ura është shumë e ngushtë.

Bunjan Morina tregon se te kjo urë ka pasur edhe aksidente, sidomos nga ata që s’janë nga Topanica dhe nuk e dinë që duhet pritur.

“Po, aksidentet nuk janë të shpeshta, por ka pasur të tilla  dhe duken, se janë dëmtuar edhe mbrojtëse dhe problem është gjithmonë se tanë kohën dikush duhet me prit, zakonisht ata që vijnë prej rrugës kryesore, por kanihere ka edhe njerëz që nuk i respektojnë këto rregulla,” thotë Morina.

Faton Biqkaj, shef i personelit në komunën e udhëhequr nga Begzad Sinani, thotë për KALLXO.com se ura e Topanicës është prioritet për Kryetarin e Kamenicës.

“Po është e vërtetë, ka qenë premtim dhe është njëri ndër prioritetet e kryetarit Sinani gjatë këtij mandati ndërtimi i urës së re sepse është projekt i domosdosëëm se lidh shumë fshatra të komunës sonë,” u përgjigj Biqkaj nëpërmjet postës elektronike.

Ai shpjegoi se komuna nuk i ka të gjitha paratë për këtë projekt.

“Ne kemi bërë projektin dhe kërkesën në ministritë përkatëse por me buxhetin 2016 kemi marrë informatë se është ndarë shuma prej 50.000 mijë eurove për ndërtimin e kësaj ure, mirëpo nuk është shumë e mjaftueshme për përfundimin e këtij projekti,” sqaroi Biqkaj.