UNDP Fillon Fazën e Dytë të Programit Kundër-Korrupsion

Faza e dytë e Programit Kundër-Korrupsion të UNDP-së, e cila ka filluar të zbatohet që nga sot, nuk është as fillimi as fundi i këtij procesi, tha shefi i Zyrës së Programit Zhvillimor të OKB-së në Kosovë, Andrew Russell.

Russell foli për punën e madhe që është bërë për draftimin e ligjeve, për angazhimin e qytetarëve, për ngritjen e vetëdijes dhe përpjekjet për të ndryshuar perceptimin për korrupsionin në Kosovë. Ai përmendi bashkëpunimin me partnerët në këtë drejtim, sidomos me Rrjetin Ballkanik të Gazetarisë Hulumtuese (BIRN Kosova), me OJQ-në “Internews Kosova”, me të cilët tha se kanë krijuar platformën “KALLXO.com”, në të cilën mes viteve 2012-2015 janë raportuar mbi 5,000 raste të dyshuara të korrupsionit.

Ndërsa, presidenti Hashim Thaçi pasi e quajti “mrekulli” rekomandimin për liberalizimin e vizave për Kosovën, tha se jemi të vetëdijshëm që duhet të bëjmë edhe më tepër në forcimin e ligjit.

Presidenti tregoi se ka iniciuar fillimin e ndryshimit të Kodit Penal, edhe pse tha ai është ndër më të mirët në rajon. “Megjithatë kemi vërejtur disa boshllëqe”, shtoi ai.

“Kam besim të plotë se do të kemi një partneritet të fuqishëm në qytetarin e Kosovës.

Edhe unë personalisht dhe zyra ime do të jemi në dispozicion në luftën kundër korrupsionit”, tha presidenti Thaçi.

UNDP 003

Ndërsa, ambasadorja zvicerane, Christina Marty Lang, tha se pengesat kryesore për zhvillimin e Kosovës lidhen me korrupsionin, qeverisjen e keqe, kapjen e shtetit, klientelizmin dhe mungesën e sundimi të ligjit në përgjithësi.

Ajo premtoi se Zvicra do të mbetet partner i besueshëm i Kosovës në luftën kundër kësaj dukurie.

“Objektivi i projektit në fazën e dytë është të forcojë transparencën dhe do të mbështetë institucionet në luftën kundër korrupsionit. Rezultate do të ketë vetëm nëse materializohet vullneti politik”, theksoi ambasadorja e konfederatës helvetike.

Për kontributin në luftën kundër korrupsionit gjatë fazës së parë të programit mirënjohje u janë ndarë platformës “Kallxo.com”, drejtorit të Agjencisë Kundër Korrupsion, Hasan Pretenit, kryeprokurorit të shtetit, Aleksandër Lumezit, kryetarëve të disa komunave, etj.

UNDP 004

Zyra e Programit Zhvillimor të OKB-së në Kosovë fillon kështu zbatimin e fazës së dytë të Programit Kundër–Korrupsion në partneritet me Agjencinë Kosovare Kundër Korrupsionit, Kuvendin, Qeverinë, Komunat, Këshillin Gjyqësor, Këshillin Prokurorial dhe organizatat e shoqërisë civile.

Faza e parë e këtij programi është zbatuar gjatë viteve 2012 – 2015.

Faza e dytë e programit do të vazhdojë deri në vitin 2020. Synimi i këtij programi ka qenë dhe vazhdon të jetë parandalimi dhe luftimi i korrupsionit përmes ngritjes së transparencës dhe llogaridhënies së institucioneve në nivel qendror dhe lokal si dhe fuqizimit të qytetarëve, veçanërisht të rinisë, në vendimmarrje.

Ky program mbështetet financiarisht nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim në Kosovë (SDC), dhe Agjencia Daneze për Bashkëpunim dhe Zhvillim (DANIDA).