Analiza e UNDP-së për ekstremizmin | Foto: KALLXO.com

UNDP: Është Rritur Ndikimi i Grupeve Ekstremiste

UNDP dhe USAID teksa lansuan sot analizën e pulsit publik- produktit hulumtues me temën parandalimi i ekstremizmit të dhunshëm, konstatuan se ndikimi i grupeve ekstremiste është rritur gjatë dy dekadave të fundit.

Atdhe Hetemi, menaxher i këtij projekti tha se “ky studim analizon perceptimet e kosovarëve lidhur me ekstremizmin e dhunshëm dhe analizon kapacitetet e shoqërisë kosovare për t’u rezistuar presioneve të brendshme dhe të jashtme të ideologjive ekstremiste”.

Gjatë prezantimit të të gjeturave të studimit, Hetemi tha se niveli i radikalizmit të perceptuar fetar në Kosovë është rritur.

Në këtë studim sipas Hetemit, kanë gjetur faktorë shytës dhe tërheqës që e mundësojnë radikalizmin.

“Faktorët kryesorë të shtytjes janë zhgënjimi me punën e ekzekutivit, institucionet legjislative dhe gjyqësore të Kosovës, ndjenjën e izolimit si dhe krizën e identitetit dhe indoktrinimin ekstremist, papunësinë, varfërinë dhe kushtet tjera socio-ekonomike”, thuhet në hulumtim.

Kurse te faktorët tërheqës që çojnë drejt radikalizmit, Hetemi ka përmendur pritjen e shërbimeve, literaturën me përmbajtje radikale e ekstremiste, internetin, mediat sociale, sjelljen e disa imamëve të arsimuar në Lindjen e Mesme.

Gjatë prezantimit të këtij hulumtimi janë dhënë disa rekomandime.

Ndër to si faktorë kyç për t’u angazhuar për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm janë komunat, shoqëria civile dhe bashkësitë fetare.

Rekomandim tjetër është prezantimi i edukimit fetar në shkolla pa kompromentuar natyrën sekulare të sistemit arsimor të Kosovës, forcimi i bashkëpunimit rajonal të policisë, angazhimi i prindërve në shkolla për të parandaluar ekstremizmin e dhunshëm, të ketë raportim medial për raste pozitive dhe të hartohet një strategji komunikimi e cila duhet t’i përfshijë komunitetet fetare në Kosovë.

Sot krahas prezantimit të analizës së UNDP-së dhe USAID-it u zhvillua edh punëtoria në lidhje me financimin e terrorizmit dhe shpëlarjen e parasë.

Në këtë punëtori kryeprokurori i shtetit Aleksandër Lumezi kërkoi që të goditen burimet financiare të terrorizmit.

http://kallxo.com/lumezi-te-goditen-burimet-e-financimit-te-terrorizmit/