Monedha Euro - Foto: Facebook

Ulje e Papërfillshme e Deficitit Tregtar

Të dhënat e fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) thonë se deficiti tregtar ra për 0.2 për qind në krahasim me muajin e njëjtë të vitit 2015.

Sipas publikimit të ASK-së, Kosova vazhdon të eksportojë më shumë produkte minerale dhe produkte bazë për të importuar ushqime të përgatitura.

“Të dhënat nga tregtia e jashtme në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar më të ulët për 0.2% në muajin tetor 2016, në raport me periudhën e njëjtë të vitit 2015, gjegjësisht në vlerë prej 214,2 milionë euro krahasuar me deficitin 214,6 milionë në vitin 2015”, thuhet në publikim.

Sipas këtij publikimi, eksporti i mallrave në muajin tetor 2016 kishte vlerën 27,1 milionë euro apo 0.1 për qind më pak në krahasim me muajin e njëjtë të vitit të kaluar, ndërsa importi 241,3 milionë euro apo 0.2 për qind më pak.

Produktet minerale dhe metalet bazë dominojnë eksportin e vendit.

Sipas të dhënave të grupeve kryesore të eksportit, 27.7% të eksportit të Kosovës e përbëjnë produktet minerale, 22.9% metalet bazë dhe artikujt prej tyre, 10.2% ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani, 9.7% plastikë, gomë dhe artikuj prej tyre, 7.9% produktet bimore, 4.8% lëkurë dhe artikuj prej saj, 4.0% makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike, thuhet në publikim.

Ndërsa, Kosova këtë muaj më shumë importoi ushqime të përgatitura, pije, duhan por edhe produkte minerale.

Lidhur me importi, në publikimin e ASK-së thuhet se sipas të dhënave të grupeve kryesore, 12.7% të importit e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani, 12.1% produktet minerale, 11.7% metalet bazë dhe artikujt prej tyre, 11.7% makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike, 8.1% produkte të industrisë kimike, 7.6% mjetet e transportit, 6.8% plastikë, gomë dhe artikuj prej tyre, etj..

Tregtia me Vendet e BE-së

Eksportet e Kosovës në vendet e BE-së arritën vlerën 7,1 milionë euro ose rreth 26.6% të  eksporteve të përgjithshme, me një rënie prej 10.3%.

Sipas Agjencisë së Statistikave, partnerët kryesorë të Kosovës në Bashkimin Evropian për eksportin e mallrave janë Gjermania (5.9%), Austria (4.6%), Holanda (4.5%), Bullgaria (3.5%), etj.

Për dallim nga rënia e eksporteve, Kosova ka shënuar rritje të importit nga vendet e BE-së.

Vlera e importit nga 28 vendet e BE-së është rreth 105,4 milionë euro ose 43.7% e importeve të përgjithshme, me një rritje prej 2.2%.

Importet me pjesëmarrje më të lartë ishin nga Gjermania (12.0%), Italia (7.2%), Greqia (4.2%), Polonia (3.0%), thuhet po ashtu në këtë publikim.

Tregtia me Vendet e CEFTA-s

Nga vendet anëtare të CEFTA-s, Kosova më së shumti shkëmben mallra me Serbinë, pastaj Maqedoninë dhe Shqipërinë.

“Në muajin tetor 2016, eksportet e Kosovës me vendet CEFTA-së arritën në 15,2 milionë euro, ose 56.3% të eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 26.1%. Partnerë kryesorë për eksport nga vendet e CEFTA-s janë: Serbia (22.0%), Maqedonia (13.4%), Shqipëria (12.9%), dhe Mali i zi (5.4%)”, tregon Agjencia e Statistikave të Kosovës

Ndërsa, importet nga vendet e CEFTA-s në tetor arritën vlerën 67,8 milionë euro, ose 28.1% të importeve të përgjithshme, me një rënie prej 1.1%.

Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin: Serbia (14.2%), Maqedonia (6.0%), Shqipëria (4.3%) dhe Bosnjë-Hercegovina (3.0%).

Sipas ASK-së, eksportet e Kosovës me vendet e tjera arritën në 4,6 milionë euro, ose 17.1%.

Si partner më të rëndësishëm nga këto vende për eksport vlen të përmenden Zvicra (5.7%) dhe Kina (3.9%).

Ndërsa importet e Kosovës me vendet e tjera arritën në 68 milionë euro, ose 28.2%. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import në këtë grup ishin Kina (9.5%) dhe Turqia (9.2%).