Ulen Rastet e Tuberkulozit në Kosovë

Në Kosovë, brenda një periudhe rreth 17 vjeçare, sëmundja e tuberkulozit ka rënie.

Nga 1 mijë e 700 raste të cilat ishin identifikuar në vitin 2000 në kohën e pasluftës, tani janë rreth 1 mijë raste më pak me të prekur nga kjo sëmundje.

Majlinda Gjocaj, koordinatore e Programit Kombëtar për Tuberkulozin në Ministrinë e Shëndetësisë, tha për KALLXO.com, se për vitin 2017 janë regjistruar vetëm 720 raste.

“Prej vitit 2000 kur ka filluar Programi Kombëtar i Tuberkulozit e deri tani në vitit 2018 ka një përgjysmim të numrit të rasteve të tuberkulozit në vitit 2000 ka qenë numri rreth 1 mijë e 700 raste, ndërsa për vitin 2017 ne sapo i kemi marrë të dhënat e fundit janë 720 raste”, tha Gjocaj.

Sipas saj, viti 2000 ka qenë kohë e pasluftës dhe statusi social dhe ekonomik i shtetasve ka qenë shumë i keq, ka pasur ulje të imunitetit dhe ulja e imunitetit sipas saj  është shkaktar kryesor i kësaj sëmundjeje.

Ndërkaq, sipas Gjocajt, në Kosovë ekzistojnë një numër i madh i profesionistëve shëndetësorë që merren me tuberkulozin, janë të trajnuar dhe të kualifikuar dhe bëjnë një luftë të madhe kundër kësaj sëmundjeje.

“Te ne në popullatë ekziston ideja që kjo është sëmundje e pashërueshme, vdekjeprurëse, kam dëgjuar shumë pacientë që thonë se më mirë është me pas kancer se tuberkulozin, mirëpo në fakt realiteti është krejt ndryshe. Është një sëmundje e cila nëse diagnostifikohet me kohë barna ka, trajtohet me kohë dhe është plotësisht e shërueshme”, tha ajo.

Sipas Gjocaj, Dita Ndërkombëtare e Tuberkulozit është 24 marsi, shënohet në gjithë botën. Në Kosovë zakonisht këtë ditë e shënojnë me datë 23 mars pasi me 24 është dita nacionale e bombardimeve të NATO-s.

Ministria e Shëndetësisë (MSH) në bashkëpunim me Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike (IKSHP), Zyrën e OBSh-së në Kosovë dhe partnerët e tjerë shënojnë Ditën Botërore të Tuberkulozit.