Gjykimi i inspektorëve | Foto: KALLXO.com

Ulën Gjobën për 18 Mijë e 500 Euro-Deklarohen të Pafajshëm

Ish- ushtruesi i detyrës së kryeinspektorit të Inspektoratit të Punës, Skender Gashi dhe tre zëvendësit e tij, Agim Millaku, Jovica Filipoviq dhe Murat Vokshi, u deklaruan të pafajshëm ndaj akuzës së prokurorisë që i akuzon për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Sipas aktakuzës së  përpiluar nga prokurorja Mirushe Llugiqi, të akuzuarit duke vendosur në procedurën e shkallës së dytë sipas ankesës së një kompanie kanë aprovuar ankesën e Avni Salihut, pronar i kompanisë” NTP Bujari”, njësisë punuese “As Petrol” dhe kanë nxjerrë vendimin e datës 3 shkurt 2009 duke ndryshuar vendimin e shkallës së parë për shqiptim të gjobës ndëshkuese.

Sipas aktakuzës, vendimi i shkallës së parë përcaktonte që kompania të paguante 22,500 mijë euro gjobë, ndërsa të akuzuarit në shkallë të dytë këtë shumë e kanë zbritur në 4000 mijë euro, pas ankesës së kompanisë.

Pasi prokurorja Llugiqi lexoi aktakuzën, të gjithë të akuzuarit u deklaruan se ndihen të pafajshëm, ndërsa avokati Haxhi Millaku, tha se me këtë aktakuzë cenohet rendi juridik në vend.

“Unë i pashë provat dhe cilësimin juridik të veprës penale dhe unë në prova nuk kam se çfarë të kundërshtoj, por jo sepse këto prova argumentojnë atë që u lexua,  por sepse nuk kanë bazë juridike, sepse  kjo akuzë nuk është përpiluar konform nenit 241,” tha Millaku.

Millaku gjithashtu tha se me logjikën e prokurorisë në këtë aktakuzë mund të ndiqen gjyqtarët e shkallës së dytë, pra të Gjykatës së Apelit për vendimet që ata marrin.

Aktakuzën e kundërshtoi edhe Petrit Dushi, avokati i Skender Gashit.

Gjoba ndaj kompanisë” NTP Bujari”, njësinë punuese “As Petrol” sipas aktakuzës i ishte shqiptuar pasi që inspektorët e punës kishin dalë për të inspektuar vendin e ngjarjes ku më 29 nëntor 2008 duke pastruar rezervuarin e benzinës në pompën “As Petrol” kishte humbur jetën një 17 vjeçar, si pasojë e helmimit me dyoksid karboni.

Seanca e radhës do të mbahet në muajin shtator.