Emir Kusturica

Ukraina Kërcënon Kusturicën për Vizitën e Tij në Krimea

Ambasada ukrainase në Beograd i dërgoi një letër të hapur Kusturicës të martën, duke paralajmëruar se kushdo që shkel Ligjin e vendit për Territoret e Pushtuara Përkohësisht duke vizituar Krimenë e aneksuar nga Rusia do të ndiqet penalisht.

“Një nga ndëshkimet për shkeljen e ligjit është ndalimi i hyrjes në territorin ukrainas për një periudhë pesë vjeçare,” tha ambasada në letër.

Më 23 korrik, Kusturica mbajti një koncert në Yalta, në gadishullin e Krimesë, me grupin e tij muzikor “No Smoking Orchestra”.

Para koncertit, ai citoi se bashkimi i Krimesë dhe Rusisë ishte një “proces natyral organik” dhe i bëri thirrje qytetarëve të Krimesë ta zhvillojnë gadishullin si “pjesë të Rusisë të madhe”.

Ambasada tha se i vinte keq për faktin që Kusturica “mbështeste agresorin, Rusinë”, duke shtuar se 11,000 njerëz, përfshirë artistë të famshëm, kanë vdekur gjatë konfliktit midis Ukrainës dhe Rusisë.’

Kusturica nuk qe i disponueshëm për një koment të martën.

Rusia e aneksoi Krimenë në vitin 2014, pas një referendumi tepër të diskutuar në të cilin njerëzit votuan se gadishulli ukrainas duhej t’i bashkohej Rusisë.

Si Ukraina ashtu edhe Perëndimi e konsiderojnë të paligjshëm referendumin dhe aneksimin si pushtim të territorit ukrainas nga ana e Rusisë.

Në letrën e saj, ambasada ukrainase shtoi se Kievi ende e mbështet fuqimisht Beogradin në lidhje me politikën e Kosovës dhe nuk e ka njohur pavarësinë e kësaj të fundit.