Ukë Rugova Deklarohet i Pafajshëm

Ukë Rugova dhe të akuzuarit tjerë për dhënien e vizave italiane shengen janë deklaruar të pafajshëm pasi atyre u është lexuar aktakuza.

Mbrojtja e të akuzuarve deri më 30 shtator ka afat të bëjë kundërshtimet e aktakuzës.

Disa nga avokatët në gjykimin kundër Ukë Rugovës dhe të tjerëve kërkuan shtyrjen e seancës, por u refuzuan nga gjykata. UkëShtyrjen e seancës kundër 20 personave të akuzuar për dhënien e vizave italiane shengen në këmbim të pagesës, e kërkuan Nexhat Shabani, avokati i Ukë Rugovës dhe Besnik Berisha, avokati i Izet Beqirit.

Ata u ankuan se nuk i kanë pranuar të gjitha materialet e lëndës me kohë, duke shtuar se ato është dashur t’i pranojnë që nga ngritja e aktakuzës.

Besnik Berisha më tutje tha se vetëm sot ka pranuar një CD me 178 dëshmi për të cilat kërkoi kohë që t’i analizojë.

Prokurori Andrew Hughes tha në gjykatë se ia ka dorëzuar mbrojtjes të gjitha provat e rëndësishme.

Gjyqtari Vitor Partal refuzoi kërkesën për shtyrje të seancës, duke bërë me dije se për ata që e dëshirojnë shtyrjen dhe nuk duan të vazhdojë seanca mund të veçohet procedura.

uke rugova1

Pastaj avokati Besnik Berisha vazhdoi të këmbëngulë që seanca të shtyhet, duke arsyetuar këtë kërkesë me fjalët që sipas tij prokuroria nuk e ka përmbushur obligimin ndaj asnjërit nga avokatët dhe të akuzuarit e këtij procesi.

Pas këtij insistimi, gjyqtari Vitor Partal dha një pauzë 15 minutëshe që trupi gjykues të vendosë për vazhdimin ose jo të seancës.

Trupi gjykues kur u kthye në sallë ua komunikoi avokatëve se kërkesa për shtyrje është refuzuar.

Procedura u veçua ndaj të akuzuarve Liridona, Fitim, Azad e Izet Beqiri dhe seancat për ta u  caktuan në shtator.

Liridona Beqiri mungoi për shkaqe shëndetësore, ndërsa avokatët e tre të tjerëve thanë se nuk i kanë shkresat e lëndës.

Aktualisht është duke u lexuar aktakuza.

ukerugova

Sipas aktakuzës se Prokurorisë Speciale të Kosovës, nga maji 2011 deri më shkurt 2014, djali i ish-presidentit historik të Kosovës, Ukë Rugova ishte drejtues i një grupi kriminal i cili në këmbim të një shume prej 3000-4000 mijë euro siguroi 556 viza shengen për 526 persona të ndryshëm nga gjithsej 614 aplikacione për vizë sa ishin bërë në ambasadën italiane në Kosovë.

Po ashtu sipas prokurorisë, këto viza ishin afatshkurtra për turizëm 30 ditor dhe të vlefshme për  6 muaj.

38 aplikacione për vizë shengen italiane janë gjetur edhe në bastisjen në vendbanimin e Ukë Rugovës të urdhëruara nga prokurori i EULEX-it.

Sipas prokurorisë, qëllimi i këtij grupi ka qenë të sigurojë përfitim material duke furnizuar individë me viza shengen nga ambasada italiane në Prishtinë, viza të cilat janë marrë në mënyrë të paligjshme përmes shtrembërimit dhe korrupsionit.

Sipas aktakuzës së prokurorit Cansick, Prokuroria Speciale e Kosovës ka pranuar nga Prokuroria Italiane në Romë një kopje të dosjes së tyre lidhur me këto viza ku ndër të tjera përfshihet edhe emri i ish-ambasadorit italian në Kosovë, MIchael Giffoni, zyrtarit administrativ, Fawzi Habbib si dhe punonjësit lokal  të ambasadës italiane në Kosovë, Florian Petani.

Në periudhën për të cilën akuzohet, Ukë Rugova ka qenë deputet i Kuvendit të Kosovës, i zgjedhur në listën e kandidatëve për deputetë të AAK-së, ndërsa më vonë u bë pjesë e grupit parlamentar të AKR-së.

Së bashku më Ukë Rugovën në këtë rast janë të akuzuar edhe Izet Beqiri, Florjan Petani, Qefser Baholli, Astrit Haraqija, Fitim Beqiri, Azad Beqiraj, Liridona Beqiri, Kujtim Avdyli, Ragip Gashi, Visar Beqiri, Hamza Beqiri, Azem Koskoviku, Edison Idrizaj, Beg Shaqiri, Hasan Shaqiri, Driton Voca, Valon Selimi, Fadil Ahmeti dhe Haxhi Islami.