Foto: Komuna e Malishevës

Uji Bllokon Tri Familje në Malishevë

Tri familje janë bllokuar nga uji në Malishevë pas rënies së shiut dhe shkrirjes së shpejtë të borës.

“Në qytetin e Malishevës, si pasojë e prurjeve të shumta të ujit, tri familje janë bllokuar dhe është tepër e vështirë të depërtohet”, thuhet në një njoftim të Komunës së Malishevës.

Megjithatë në njoftim thuhet se “sipas të dhënave të deritanishme, asnjë qytetar nuk është i rrezikuar, ndërsa ekipet komunale të emergjencave janë në gatishmëri të plotë”.

Në njoftim bëhet e ditur se është rritur niveli i ujit në Lumin Mirusha dhe përroska, ndërsa ky lumë ka dalë nga shtrati në disa vende, kryesisht në toka bujqësore.

Sipas drejtorit të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Valon Gashi, ekipet komunale janë në terren gjatë tërë ditës dhe janë duke u monitoruar situatën.

Gashi ka treguar se është ndërhyrë në fshatin Bubavec për ta shpëtuar një familje të bllokuar nga uji.

“Në fshatin Bubavec është intervenuar në një rast duke e prishur urën dhe rrugën në mënyrë që të shpëtohet një familje nga përmbytjet. Intervenimi është bërë nga banorët e fshatit”, ka thënë drejtori Gashi, sipas njoftimit të komunës.

Drejtori ka njoftuar edhe për bllokimin e rrugës Mirushë-Gurbardh.

“Sasia e madhe ujit e ka bllokuar rrugën Mirushë-Gurbardh, duke e mbuluar urën mbi liqenin në Mirushë”, tha drejtori Gashi.

Malisheva edhe më herët është përballur me përmbytje.

http://kallxo.com/1-milion-euro-deme-nga-vershimet-ne-malisheve/